Hapen negociatat për Shqipërinë, Tabaku: Opozita duhet të përfshihet në këtë proces

Kryetarja e Këshillit të Integrimit, Jorida Tabaku ka reaguar për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Gjatë një deklarate në Kuvend, Tabaku tha se Shqipëria meritonte ta fillonte këtë rrugëtim të ri dhe theksoi se përfshirja e opozitës në këtë proces është e rëndësishme.

“PD ka bashkëpunuar me Bundestagun në mënyrë të veçantë. Shqipërisë i është dhënë një mbështetje e veçantë këto vite. Procesi i integrimit është një mekanizëm ku shqiptarët përfitojnë jo vetëm një emërtim të ri, por është vetëm fillimi i një procesi të gjatë. Shqipëria e meritonte që të fillonte këtë rrugëtim të ri. Në emër të opozitës ka shumë rëndësi sepse do të rritet mbikëqyrja. Nuk do të ketë më justifikime për mosfunksionimin e demokracisë, largimin e të rinjve. Sot e vlerësoj atë që ka ndodhur si hapi i një procesi të gjatë që do të tregojë gatishmërinë tonë. Kam disa të vërteta që duhet t’i ndaj. Detyra e parë e qeverisë është gatishmëria e strukturave, ne duhet të bëjmë gati strukturat dhe përfshirja e opozitës në këtë proces është me rëndësi. Opozita duhet të luajë rolin e saj sepse është proces kombëtar. Ne kemi për detyrë që të negociohen qëndrimet e Shqipërisë”, tha Tabaku./albeu.com