Halil Thaçi i LVV-së: Me 63 vota Kryeministër do të jetë Kurti, Kryeparlamentar Konjufca

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Halil Thaçi më 10.04.2025 ka deklaruar se shpreson që do ta formojnë Qeverinë e re të vendit pa Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Ai tha se pret që kjo Qeveri të formohet me 63 vota që krijohen, sipas tij prej deputetëve të përgjegjshëm.“Unë po shpresoj që do ta bëjmë Qeverinë edhe pa PDK. Kryeministër do të jetë Albin Kurti dhe Kryepalamentar Glauk Konjufca. Me 63 vota. Këto vota bëhen prej deputetëve, atyre të cilët janë të përgjegjshëm për shtetin e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Thaçi kështu ka deklaruar gjatë kohës sa është regjistruar si Deputet i Kuvendit të Kosovës të enjten – procedurë për ata të cilët kanë fituar mandatin gjatë Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, raporton Kallxo.com.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeparlamentari në detyrë, Glauk Konjufca ka thënë se ka nevojë për koalicion paszgjedhor që të formohet Qeveria e re e vendit pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.

Ai ka shtuar se nuk u arrit qëllimi i partisë së tij që të merren 500,000 vota, prandaj edhe sipas tij nevojitet koalicioni.

“Kur jemi te Qeveria është e pamundur pa u themeluar një koalicion i cili e krijon mazhorancën e aftë që të zgjedhë një Qeveri të re. Këtu e kisha futur edhe pozicionin e Kryetarit të Kuvendit.

Ende nuk kemi një emër të qartë sa i përket Kryetarit të ardhshëm.” – ka deklaruar ai.Ndërkohë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka refuzuar ftesën e Kurtit për takim për konsultime.

Në bazë të rezultateve të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 42.30% të votave – duke i siguruar 48 deputetët në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95% të votave apo 24 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës me 18.27% apo 20 deputetë dhe koalicioni AAK-NISMA 7.06% apo 8 deputetë.

Lista Serbe do t’i ketë 9 deputetë, 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit.


Shtuar 10.04.2025 14:11

Tags: ,