Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka publikuar sot pjesë nga dosja hetimore për hakerimin e sistemit në Prokurorinë e Posaçme.
Në pjesën e dosjes që ka publikuar Sali Berisha, të pandehurit Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni komunikojnë me njëri tjetrin.
Pjesa nga dosja:
Në datën 12 shkurt 2025, ora 21:17, Arnold Rrokaj i dërgon Zambak Gjonit një foto që duket si faqe interneti, nga e cila mund të aksesohen sistemet e SPAK.
Më pas, ai i dërgon një SMS me përmbajtjen: “A mos e hapsha dot”.
Më tej, Arnold Rrokaj i dërgon sërish një SMS Zambak Gjonit: “Se do i shkruaj Ramës… hajt tu qim ropt”.
Nga përmbajtja e këtij komunikimi krijohet bindja e arsyeshme se veprimet e të hetuarit, kanë të bëjnë me ndërhyrje të paautorizuar në sistemet e SPAK, me qëllim dëmtimin e tyre përmes shpërndarjes së dokumenteve te persona të tretë.
Në vijim, në datën 21 shkurt, i hetuari Zambak kërkon informacion edhe për arrestimin e shtetasit Engjëll Agaçi, ndërsa Arnoldi shprehet: “Ja ta shikoj njëherë. Po ç’rëndësi ka kush prokuror e ka. Nga këta që kam unë, s’e ka njeri”.
