Hakerat nxjerrin të dhënat e kryeministrit Rama, shumica e udhëtimeve me “Charter”

Hakerat iranianë vijojnë të publikojnë të dhënat sensitive. Kësaj herë shënjestër e tyre është bërë kryeministri Edi Rama.

Në rrjetin telegram, hakerat kanë bërë publike të gjitha të dhënat personale të kreut të qeverisë. Ndër to janë kartat e identitetit, pasaportat, adresa e banimit e të dhëna të tjera. Gjithashtu janë bërë publike edhe të gjitha hyrjet dhe daljet e kryeministrit nga Shqipëria që nga viti 2004 e deri në 2022. Në këtë dokument janë të dhënat e 394 udhëtimeve të kryeministrit, shumica e të cilave me avionë por në disa raste ka dalë me makinë nga pikat kufitare me Greqinë apo Maqedoninë e Veriut.

Nga skeda e sistemit TIMS që rrjeti i hakerave iranian ka publikuar, thuhet se Rama ka bërë 15 fluturime jashtë Shqipërisë dhe vetëm dy prej tyre janë me avion të zakonshëm.

Ajo që vihet re është se destinacioni më i shpeshtë për kryeministrin Rama, ëshë Turqia.

Kryeministri Edi Rama rezulton se ka udhëtuar 50 herë me avion charter. Këto udhëtime i ka bërë që nga koha kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës në vitin 2004, më pas si kryetar i opozitës dhe tani si kryeministër.


Shtuar 27.10.2022 18:47