Grupi “Çopja” futi euro dhe paund në Shqipëri me valixhe. Dy drejtorë policie “rregulluan” letrat e OFL-së

Miliona euro kanë hyrë në Shqipëri përmes pikave kufitare, të cilët rezultojnë të dërguara nga Dubai përmes valixheve me rrota.

Shumat financiare janë investuar më pas në biznese të ndryshme duke u “tretur” në industrinë e ndërtimit në Tiranë, biznesin e shitjes dhe dhënies me qëra të makinave, në blerjen e apartamente, vilave luksoze në komplekse moderne si “Mandarine Drive” në Lundër të Tiranës, hotel “Domus”, lokale, e deri në investime në bizhuteri, makina luksoze duke blerë lingota floriri dhe Ar.

Ndërkohë, një shifër marramendëse financiare grupi e shpenzonte për të kryer vrasje me pagesë, blerjen e armëve moderne dhe një seri apartamentesh në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, me qëllim krijimin e tyre si baza vend-strehuese të anëtarëve që dilnin në kërkim, përfshirë këtu dhe Talo Çelën.

Valixhet emetoheshin me një postcode dhe më pas priteshin në aeroporte ku më tej tërhiqeshin nga njerëz të organizatës, duke i shpërndarë më tej në linjat respektive sipas direktivave që jepte nga Dubai, Franc dhe Hajdar Çopja alias Bako.

Sipas SPAK, njerëzit që maskoheshin si tregtarë dhe biznesmenë por të përfshirë në pastrimin e parave të vëllezërve “Çopja”, janë Talo Çela, përmes gruas dhhe vajzës së tij, kushëriri i tij Armis Stafa, Rexhino Doçi, Klajdi Merkaj, Arben Lamçja, Maklen Mici, Bashkim Lika dhe biznesmeni i ndërtimit në Elbasan, Arjan Ormenaj.

Në një bisedë, të zhvilluar në muajin Maj 2020 i hetuari Klajdi Merkaj i kërkon Franc Gergely, që t’i ndajë në 3 pjesë shumat monetare dhe të tri pjesët të jenë në një valixhe me rrota që të jenë më praktike në lëvizje.,NË22HR.

Një praktikë e tillë ka ndodhur në dhjetëra raste, ku në Shqipëri kanë hyrë sasitë e eurove.

Pesë ditë më vonë nga kjo bisedë në 27 Maj 2020 Klajdi Merkaj bisedon me Franc Çopjan, lidhur me masat e ndërmara për bllokim pasurie në bazë të Operacionit Forca e Ligjit, ku në këtë bisedë kuptohet se grupi ka bllokuar dy drejtorët e policisë, Elbasan dhe Tiranë.

Merkaj flet me Francin, duke e informuar atë se për punën e OFL-së ka takuar Drejtorin e Elbasanit dhe Tiranës, të cilët e kanë siguruar se nuk kanë asgjë me emrin e Franc Çopja, madje e njohin si person që punon jashtë dhe, sipas tyre, nuk është problematik.

Qëllimi i kapjes së dy drejtorëve të policisë ka qenë për ndërmarrjen e asnjë procedure hetimore apo dërgimi formulari për deklarim pasurie, lidhur me pronat që gëzonin në Tiranë dhe Elbasan dy vëllezërit “Çopja”.

Ndërkohë në 30 Maj 2020, Klajdi Merkaj informon Franc Çopjan se e mori shtëpinë. Më pas Klajdi Merkaj i kërkon Franc Çopjas që shtëpinë ta hedhë në emër të një personi të tretë dhe sipas tij e mira e kësaj shtëpie është se është blerë me kontratë të brendshme dhe jo me noteri.

Në vijim, Klajdi Merkaj i shkruan Franc Çopja se do bëhet revokim kontrate.

Përmbajtja e mesazhit që Klajdi Merkaj i dërgon shtetasit Franc evidentohet kështu:

“…ti hidhet në emër direkt personit dhe vlera bëhet minimale 50.000 € po “ok” shpia kur të duhet për tu fut…”?

Në vijim, të komunikimeve ndërmjet tyre, Klajdi Merkaj i dërgon Franc Çopjas një armë automatike e cila nga biseda kuptohet se është e llojit “Glock”.

Më pas, Klajdi Merkaj i rikujton Franc Çopja se duhet të gjejë një emër personi, tek i cili do jetë pronësia e shtëpisë së blerë nga Franc Çopja për shtëpinë dhe se në kontratë duhet të shënohet minimum 55 Euro.

Më datën 23 qershor 2020 Klajdi Merkaj i dërgon Franc Çopja postcodin me numër NË37SD, të valixheve të tjera. Po më datën 27 qershor 2020, Klajdi Merkaj i dërgon Francit, postcodin me numër LU13LZ.

Më pas, Klajdi Merkaj në bisedë me Francin, jep detaje se janë 2.5 dhe se personi nuk arriti t’i mblidhte në kohë ku dyshohet se bëhet fjalë për transportim të vlerave monetare.

Gjithashtu, në bisedën e 27 qershorit 2020, Klajdi Merkaj e falënderon Franc Çopja për dhuratën e ditëlindjes edhe pse e ka nesër. Në bisedë e sipër Klajdi Merkaj i dërgon Francit postcodin e një valixhe tjetër me rrota B152GJ dhe e informon se në orën 15:00 me të tyren (Angli) do jenë gati.

Përmbajtja e mesazhit që Klajdi Merkaj i dërgon Francit: “…B152GJ në orën 15:00 me të tyren janë gati atje është ok…? Ok…”. USA.

Më pas, Klajdi Merkaj në bisedë me Franc Çopjan jep detaje se ato që janë dërguar janë 50 (50.000 Euro/Paund) dhe se janë të ndara 1.000, ndërsa për të tjerat shkruan se kanë qenë 1000 dhe të ndara në tufa 10 mijë euro.

Më 14 Gusht 2020 Klajdi Merkaj bisedon me Franc Çopjan, të cilit i shpjegon se po interesohet të investojë në ndërtimin e një kompleksi banimi, sa dyfishi i atij që ka ndërtuar më parë si dhe një pallati në Tiranë.

Më pas, Klajdi Merkaj i tregon Franc Çopjas se kanë diskutuar për të dy vendet e ndërtimit dhe kanë marrë “…ok…”.

Gjithashtu, Klajdi Merkaj i thotë Franc Çopjas se tani janë në pritje të bëjnë blerjet e pronave, por për momentin nuk janë mirë me gjendjen e parave “..cash…” dhe i kërkon Francit që ta ndihmojë me një vlerë monetare “…cash…” prej 1.500.000 Euro.

Nga bisedat e zhvilluara ndërmjet tyre, Klajdi Merkaj ndër të tjera informon Francin për ndërtimin hap pas hapi të kompleksit të banimit duke i dërguar edhe foto.

Përmbajtja e disa prej mesazheve që Klajdi Merkaj i dërgon Francit më 19 Gusht 2020 Klajdi Merkaj e pyet Francin, nëse ka nisur gjë poshtë (shuma monetare) dhe më pas i shkruan Francit se nuk i duhen urgjent.

Nga bisedat evidentohet se, për Klajdi Merkaj rëndësi ka dakortësia e Francit dhe se tani mund t’i karikojë personat me kapar financiar duke synuar blerjen e pronave.

Klajdi Merkaj, i shkruan Francit se takimi me B-në, Arben Lamçja ishte i rëndësishëm pasi jep mundësi të shikoj gjëra sa më të mëdhaja.

Pastrim të parave Franc Çopja, ka kryer edhe përmes shtetasit Rexhino Doçi, i cili ka marrë një lokal me qira përballë fakultetit të Drejtësisë në Tiranë.

Lokali është marrë me qira tek shtetësja M.L, për një periudhë 8 vjeçare është planifikuar të paguhet 70 mijë euro qira.

Ndërkohë, janë dhjetëra raste kur Rexhino Doçi, ka kryer tërheqjen e më shumë se 1.5 milion euro cash nga persona të ndryshëm në Tiranë dhe Durrës, para këto që ishin në qarkullim nga Franc Çopja.

Një tjetër rast dhe person që pastron para për Franc Çopjan është kushëriri i tij, Armis Stafa.

Evidentohet se Armis Stafa, ka marrë përsipër dhe ka kryer veprime aktive nëpërmjet shitjes dhe blerjes së automjeteve me qëllim pastrimin e produkteve të veprës penale për llogari të Franc Çopjas.

Në 14 korrik 2023 ka dhënë shpjegime për këtë biznes dhe Erion Alibej një i arrestuar se ka porositur vrasje me pagesë, duke deklaruar në lidhje me asetet dhe pasuritë e vëllezërve Çopja. Ndër të tjera ai ka deklaruar se:

“…Kanë një biznes, pikë shitjesh dhe dhëniesh makinash me qira në aksin Elbasan-Metalurgji, por personi që me letra ka në pronësi këtë biznes e ka emrin Armi, mbiemrin nuk ia di, por di që e ka shtëpinë tek kryqëzimi i Cërrikut, tek lagjia “Gjurma e Mushkës”, dhe di që është kushëri i afërt me vëllezërit “Çopja”, sepse e ëma e vëllezërve Çopja me mamanë e Armit janë vajza tezeje…”.

Po ashtu, Alibej ka treguar dhe për disa biznese të tjera, duke përfshirë dhe rastin e dy vilave të blera në zonën e pas TEG-ut.

Armis Stafa merret në Elbasan me shitjen e makinave të shtrenjta, për llogari të Franc Çopjas. Del qartë nga bisedat se për çdo veprim komunikon me Franc Çopjan, i cili është pronari real i mjeteve.

Po ashtu Armis Stafa, e këshillon Franc Çopjan për veprime financiare në funksion të pastrimit të produkteve të veprës penale. Për çdo makinë që shitet në këtë biznes Armis, pyet Francin lidhur me çmimin përfundimtar.


Shtuar 31.08.2024 10:50