Një valë e fortë gripi po prek masivisht fëmijët në Elbasan, duke e çuar shërbimin e Pediatrisë në kufijtë e kapacitetit. Mbi 110 të mitur paraqiten çdo ditë për të marrë ndihmën e parë mjekësore, ndërsa numri i shtrimeve është ndër më të lartët e viteve të fundit, duke ezauruar plotësisht kapacitetet e institucionit shëndetësor.
Mjekët raportojnë se fluksi i lartë ka nisur që prej festave të fundvitit dhe vijon me intensitet të pandërprerë. Sipas shefes së Pediatrisë, Irena Palloshi, pacientët e vegjël paraqiten kryesisht me temperaturë të lartë, të cilën e cilësojnë “rebele”, si dhe me probleme në rrugët respiratore. Në mjaft raste, këto simptoma shoqërohen me komplikacione virale që kërkojnë trajtim të specializuar dhe monitorim spitalor.
Të lidhura
None found
“Virozat e stinës kanë prekur në mënyrë masive të gjitha grupmoshat pediatrike. Po përballemi me forma më agresive të gripit, me temperaturë të lartë dhe vështirësi respiratore. Është e rëndësishme që prindërit të reagojnë herët dhe të mos neglizhojnë shenjat e para”, shprehet ajo.
Nga muaji janar e deri më tani, rreth 1350 fëmijë kanë marrë ndihmën e parë në pavijonin e Pediatrisë, ndërsa mbi 575 raste kanë përfunduar me shtrim në spital ,një shifër që konfirmon presionin e jashtëzakonshëm mbi sistemin.
Mjekja apelon për vigjilencë të shtuar nga ana e prindërve, duke theksuar rëndësinë e kontrollit të menjëhershëm mjekësor në rast temperature të lartë të vazhdueshme, kollë të fortë, vështirësi në frymëmarrje apo përkeqësim të gjendjes së përgjithshme të fëmijës.
Ndërsa sezoni i virozave vijon, strukturat shëndetësore në Elbasan mbeten në gatishmëri të plotë, por sfida kryesore mbetet menaxhimi i fluksit të lartë dhe shmangia e komplikacioneve tek më të vegjlit.
