Përmes një deklarate për media, anëtari i kryesisë dhe kandidati për deputet i PD, Grigels Muçollari, ka folur lidhur me skandalin e qumështit me alfatoksinë.
“Ndërkohë që Anila Denaj, përgjegjëse për sigurinë ushqimore në vend, vazhdon fushatën dhe drejton çetën e saj të patronazhistëve, zyrtarisht është konfirmuar prania e alfatoksinës në qumësht, në disa raste.
E vendosur para fakteve, kjo agjenci nuk ka mundur ta fshehë fenomenin shqetësues.
Janë të paktën 6 raste të konstatuara, të verifikuara pas analizave.
Behet fjalë për mostra të marra në qumësht që është konsumuar nga janari e këndej.
Alfatoksina është një substancë helmuese, toksike, që dëmton shëndetin e njeriut.
Bashkimi Europian ka protokolle të rrepta për mbajtjen nën kontroll.
Ministrja jonë e Bujqësisë ka protokolle të rrepta për ta mbajtur të fshehte, siç ka ndodhur edhe me më parë me salmonelën apo me pesticidet në mandarinat tona.
I kërkojmë serish zonjës Denaj më këto pak ditë që i kanë ngelur të bëjë detyrën, dhe të bëjë transparencë të plotë mbi praninë e alfatoksinës në qumësht, burimin e saj pasi për 12 vite kanë dështuar t’ju ofrojnë siguri për ushqimet më te shtrenjta ne rajon që paguan secili prej nesh.
I kujtojmë SPAK se neglizhenca apo ‘shpërdorimi i detyrës’ mbi sigurinë ushqimore është një shkelje e rende e ligjit dhe cenim i shëndetit.
Partia Demokratike do ta shpallë institucionin e Sigurisë Ushqimore si institucion të Sigurisë Kombëtare. Dhe ne jemi angazhuar me ekspertët më të mirë për një ndryshim të shpejtë dhe rrënjësor për të garantuar çdo familje që ushqimet në tregjet tona të jenë të sigurta.
Një platforme që do ta bëjmë publike së shpejti. Një platformë që do sjellë një transformim total, që do garantojë Siguri Ushqimore për qytetaret, për familjet tona”.