Greqia një histori suksesi në Evropë, por kryeministri Mitsotakis mund t’i humbasë zgjedhjet e 21 majit

The Economist

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Kyriakos Mitsotakis është 55 vjeç. Por ai duket shumë më i ri, energjik, dhe shumë i kënaqur teksa rishikon 4 vitet e tij në postin e kryeministrit të Greqisë me një listë arritjesh dhe suksesesh. Bazuar tek statistikat, është e vështirë të imagjinohet se si mund të humbasë zgjedhjet e afërta.

Megjithatë kjo është ajo që parashikojnë sondazhet. Një teknokrat i lëmuar, Mitsotakis është një nga udhëheqësit e preferuar në Bruksel. Pas trazirave që shoqëruan qeverisjen e paraardhësit të tij, kur nën drejtimin e partisë së majtë radikale, Syriza, Greqia iu afrua largimit nga euro, 4 vitet e fundit kanë qenë një lehtësim i madh.

Mitsotakis e ka zbutur vazhdimisht tensionin me fqinjin e tij Turqinë. Ndërkohë ndihma e shpejtë për viktimat e tërmetit të 6 shkurtit atje ishte një lëvizje shumë e zgjuar. Ai e ka revolucionarizuar mënyrën se si qytetarët ndërveprojnë me shtetin, falë një programi dixhitalizimi mbresëlënës.

Po ashtu ka ulur taksat mbi korporatat, ka rritur pagën minimale dhe pensionet, dhe ia ka dalë të reduktojë raportin shumë të lartë të borxhit të Greqisë ndaj PBB-së, edhe pse kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të efekteve të inflacionit, i cili i ka rritur të ardhurat nominale më shpejt se shpenzimet nominale.

Sipas Mitsotakis, vitin e kaluar Greqia u rrit pothuajse 2 herë më shpejt se mesatarja e eurozonës dhe parashikohet të jetë shumë përpara saj edhe këtë vit. Një rrjedhë e qëndrueshme e investimeve të brendshme, përfshirë nga kompani të njohura si Microsoft dhe Pfizer, tregon se Greqia nuk konsiderohet më si një nga “të sëmurat” e Evropës.

Një vit më parë, Greqia gjeneroi edhe startup-in e saj të parë “unicorn”, një bankë vetëm online e quajtur Viva Wallet. E gjithë kjo do të thotë se gushtin e vitit të kaluar Greqia u lejua nga kreditorët e saj të largohej nga mekanizmat e mbikëqyrjes që ishin vendosur për 12 vite me radhë, pasi vendi u detyrua të kërkonte një sërë paketash të mëdha ndihme financiare, të cilat po shlyhen para kohe.

Tani Greqia mund të marrë hua nga tregjet ndërkombëtare në mënyrë të rregullt, duke paguar një diferencë prej më pak se 2 për qind mbi normën e qeverisë gjermane, dhe gati e njëjtë me atë të Italisë. Kjo normë arriti kulmin në vitin 2015, me rreth 10-fishin e nivelit aktual.

“Ne kemi bërë një punë shumë të mirë dhe në kohë shumë të vështira”- thotë zoti Mitsotakis ndoshta pa modesti, por i saktë në përshkrimin që bën. Atëherë pse rrezikon që të humbë maxhorancën dhe të largohet nga pushteti?

Greqia shkon në zgjedhje më 21 maj, dhe sipas sondazheve partia e tij Demokracia e Re do të fitojë sërish shumicën e vendeve, por vetëm 12 deputetë apo diçka më shumë sesa Syriza e Alexis Tsipras. Kjo do ta lërë atë me një shumicë shumë të ngushtë, në një kohë që ai nuk ka ndonjë partner të dukshëm në koalicion.

Një sistem i bonusit, unik për Greqinë dhe San Marinon brenda Evropës, i jepte dikur 50 vende partisë më të madhe për t’ia bërë më të lehtë arritjen e shumicës. Por tani ai sistem është anuluar. Kryeministri Mitsotakis ka vuajtur nga 2 probleme të mëdha gjatë mandatit të tij qeverisës.

I pari është një skandal i turbullt që ka të bëjë me përgjimin e telefonave të dhjetëra politikanëve, gazetarëve, biznesmenëve dhe të tjerëve nga ana e shërbimit sekret grek. Në mesin e të shënjestruarve (ndonëse pa ndonjë sukses) ishte Nikos Androulakis, kreu i PASOK-Kinal, partia e tretë më e madhe në vend.

Zoti Mitsotakis e ka pranuar se ka pasur abuzime me përgjimet, por mohon të ketë ditur ndonjë gjë rreth tyre. E megjithatë ato ndodhën gjatë qeverisjes së tij. Shumë grekë e shohin si shumë të dyshimtë që pasi shpërtheu skandali verën e kaluar, vetë nipi i tij, që mbante postin e shefit të tij të kabinetit, u largua nga qeveria.

Një problem edhe më i madh ishte një aksident i tmerrshëm hekurudhor që ndodhi 28 shkurt në Greqinë Veriore, ku mbetën të vrarë 57 persona, shumë prej tyre në të 20-at. Greqia u trondit jo vetëm nga zia, por nga zemërimi, pasi dolën detaje të procedurave tepër të dobëta dhe pajisjeve të vjetëruara që çuan në ngjarjen tragjike.

Megjithëse hekurudhat e Greqisë kanë vuajtur nga neglizhenca për dekada me radhë, aksidenti i tmerrshëm iu duk shumë njerëzve si një përgënjeshtrim i pretendimeve të kryeministrit Mitsotakis për modernizimin e tyre.

“Ata na kanë njohur me shumë aplikacione të reja, por në fakt asgjë nuk ka ndryshuar. Shërbimet publike në këtë vend janë ende po aq të tmerrshme sa kurrë më parë”- thotë një biznesmene. Shërbimi civil dhe sidomos sistemi i drejtësisë mbetet shumë problematik, dhe zoti Mitsotakis nuk ka bërë asgjë për të adresuar problemet në asnjërën prej tyre.

“Ai është marrë me fasadën, por jo me rrënjët e problemeve”- thotë një bankier i nivelit të lartë. Një nga biznesmenët më të pasur të Greqisë flet akoma më troç: “Kemi dëgjuar lloj-lloj budallallëqesh rreth modernizimit. Në fakt, nuk është kështu”.

Kryeministri i hedh poshtë kritikat, duke vënë në dukje përmirësime, për shembull në prodhuesin kryesor të energjisë elektrike të Greqisë, të cilin ai e ka privatizuar, ose për faktin që këtë vit për herë të parë të rekrutuarve në shërbimin civil u është dashur t’i nënshtrohen një provimi.

Por ai pranon se i duhet një mandat i dytë për të përfunduar punën e tij. Aksidenti shërben si një detyrim për të bërë më shumë, thotë ai. Por mund të mos e ketë këtë mundësi. Tani është gati e sigurtë se askush nuk do të jetë në gjendje të formojë shumicën pas zgjedhjeve të ardhshme, dhe se presidenti do të emërojë një kryeministër të përkohshëm (ndoshta një anëtarë të Gjykatës së Lartë) derisa të mbahen zgjedhje të reja, ndoshta në korrik, kur edhe do të zhvillohet beteja e vërtetë.

Në atë pikë, do të rifutet një version i rishikuar, por më pak bujar i sistemit të vendeve bonus në parlament për forcën që merr me shumë vota. Sipas tij, Mitsotakis do të ketë nevojë të marrë rreth 38 për qind të votave. Shumica e sondazheve sugjerojnë se ai do të marrë vetëm 34-35 për qind.

Po pastaj? Ai do të përpiqet të krijojë një koalicion me zotin Androulakis të PASOK, që për momentin thotë se kostoja e mbështetjes së tij do të ishte një lider tjetër në krye të Demokracisë së Re të zotit Mitsotakis. Por PASOK mund të përpiqet të bashkohet me Syriza-n, por të dyja partitë do të kishin nevojë për mbështetje nga një grup partish të tjera të krahut të majtë.

“Do të ishte si një çmendinë”- thotë biznesmeni. Në këto kushte mund të kërkohen zgjedhje të reja brenda këtij vitit: një perspektivë që i tremb që të gjithë. Të gjithë, përveç tregjeve, që për momente janë të qeta. Dhe kjo është një dëshmi e jashtëzakonshme e progresit të bërë në pjesën e dytë të mandatit të Tsipras por edhe gjatë 4 viteve të fundit nga Mitsotakis. /albeu.com


Shtuar 21.04.2023 11:24