Grekët vuajnë ende nga “mendësia perandorake”, pse duhet të ndjekin shembullin e Izraelit në integrimin e diasporës

Nga Goerge Monastiriakos “Kathimerini

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Greqia është perceptuar prej kohësh si një shtet burim i qytetërimit. Edhe me qëllime të mira, ky cilësim tepër ambicioz është i bazuar në arsyetime të gabuara, ndaj nuk mund të vlejë për Republikën Helenike. Duke pasur parasysh se për sa mijëvjeçarë Athina moderne është hequr nga kulmi i helenizmit, ta imagjinosh Greqinë ende sot si një shtet burim të qytetërimi, nënkupton se ditët e saj më të mira kanë ikur tashmë.

Si një shtet i vogël nacionalist, me një diasporë shumë dinamike të shpërndarë në 140 vende të botës, grekët duhet ta shohin veten si një fis. Ky ndryshim në mendësi është thelbësor për ndërtimin e një Greqie më të fortë, më të fuqishme dhe gjithëpërfshirëse.

Lista e gjatë e kontributeve të helenizmit në qytetërimin perëndimor është e pamohueshme: filozofia, koncepti i demokracisë, bazat e mjekësisë moderne, shkencës dhe gjeometrisë. Dhe kështu me radhë. Megjithatë, pesha demografike, ekonomike, kulturore dhe ushtarake e Greqisë së sotme, është e pakrahasueshme me atë të shteteve të tjera të qytetërimit si Franca, Kina, Rusia, Turqia, Irani dhe Amerika.

Greqia ka qenë një vend i kolonizuar për shekuj me radhë. Megjithëse filozofia e lashtë greke lulëzoi në pjesën e fundit të Mesjetës, vetë Greqia u privua nga Rilindja dhe nga Iluminizmi për shkak të pushtimit osman. Ndërkohë, homologët e Athinës po pushtonin fqinjët e tyre, po zgjeronin perandoritë e tyre dhe po impononin rregullat dhe sistemet e tyre të vlerave jashtë vendit, duke përfshirë edhe vetë grekët.

Sot Greqia është një shtet i vogël me sfida të mëdha për të kapërcyer. Duke qenë të parët që e diagnostikuan narcisizmin si një dukuri më shumë se 2000 vjet më parë, shumë grekëve u duket më vend që të ruajnë një mendësi “perandorake”, për shkak të vënies së një theksi të madh mbi aspektin qytetërues të helenizmit.

Dhe kjo gjë shfaqet shpesh tek grekët që e imagjinojnë veten si më të fuqishëm ose më domethënës në nivel global nga sa janë në realitet. Perceptime të tilla jorealiste, përkthehen në pritshmëri të paarritshme dhe synime të paarritshme, që pasohen nga dështimi dhe zhgënjimi.

Prandaj kërkohet një rishikim filozofik për ta korrigjuar këtë disonancë konjitive. Greqia duhet të frymëzohet nga shembulli i Izraelit, dhe të fillojë t’i konceptojë grekët si anëtarë të të njëjtit fis, në vend se ta perceptojë Greqinë si një shtrat të qytetërimit.

Në vend se ta konsiderojë identitetin helen si një të drejtë që e gëzojnë vetëm disa të privilegjuar, ajo duhet të synojë të përfshijë nën ombrellën e saj grekët kudo që jetojnë nëpër botë, bazuar në konceptin se ata janë të gjithë anëtarë të së njëjtës familje të gjerë.

Ky ndryshim në perspektivë do t’i fuqizojë helenët ngadalë, por me siguri do të heqin çdo mendësi “perandorake” që u ka mbetur. Gjithashtu qasja e re mund t’i japë mundësi Athinës që më në fund të mos premtojë më shumë sesa mund të përmbushë, dhe të harxhojë më kot energji në çështje që nuk kanë të bëjnë me turizmin, transportin dhe mbrojtjen.

Shteti i Izraelit u themelua si një vend i shenjtë për popullin hebre. Të gjithë hebrenjtë konsiderohen si anëtarë të së njëjtës familje të zgjeruar, pavarësisht nga vendet e tyre të origjinës, përkatësitë e ndryshme politike dhe dallimet fetare. Diaspora hebreje, e përbërë nga refugjatë krijues, plot energji dhe pa shtetësi, ishte pika kyçe e suksesit të Izraelit.

Qindra mijëra hebrenj i ikën persekutimit në mbarë botën për të ndërtuar shtetin e Izraelit. Ata e kuptuan disavantazhin e tyre numerik, dhe e dinin se duhej kontributi i gjithsecilit. Liria dhe zhvillimi që gëzojnë sot izraelitët u fituan nëpërmjet sakrificave vetëmohuese të bëra nga paraardhësit e tyre të guximshëm. Në Izrael çdo person ka rëndësi.

Shteti hebre është i njohur në mbarë botën për mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve të diasporës dhe izraelitëve nga rreziku jashtë vendit. Përmes operacionit “Ezra dhe Nehemia”, Izraeli shpëtoi hebrenjtë Mizrahi që u mërguan nga Iraku. Ndërsa gjatë operacionit “Thunderbolt”, një grup komandosh të udhëhequr nga Yonatan Netanyahu, vëllai i kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, shpëtuan pengjet izraelite në Entebbe të Ugandës.

Ky është kuptimi i “familjes së zgjeruar” për fisin e Izraelit. Ashtu si diaspora hebreje, edhe grekët e persekutuar në Anadoll ikën ose u dëbuan me forcë nga atdheu i tyre stërgjyshor

në Azinë e Vogël gjatë gjenocidit armen dhe grek. Por pak refugjatë u pritën krahëhapur. Diskriminimi ndaj pasardhësve të Mikrasiates vazhdon ende sot në Greqi më shumë se një shekull më vonë. Akoma më keq, Athina nuk e njeh ende gjenocidin e kryer kundër grekëve të Azisë së Vogël nga Perandoria Osmane, Xhonturqit dhe Lëvizja Kombëtare Turke.

Pavarësisht këtij trajtimi, kontributet e grekëve të Anadollit në Greqinë moderne flasin vetë. Manjati i anijeve Aristotle Onassis iku nga Smyrna – Izmiri sotëm – në moshën 16-vjeçare. Poeti fitues i Çmimit Nobel George Seferis ka lindur në Vourla, sot Urla. Produktet kryesore greke si biskotat Papadopoulos u themeluan gjithashtu nga sipërmarrës me origjinë nga Anadolli. Për më tepër, integrimi në Greqi i mbi 1 milionë refugjatëve nga Azia e Vogël ishte i rëndësishëm në modernizimin e vendit, zhvillimin e infrastrukturës së tij dhe ndërtimin e shtetit të mirëqenies.

Ndërsa shteti hebre mbetet një strehë për hebrenjtë nga e gjithë bota, Greqia duhet të bëjë më shumë për të hapur dyert e saj për grekët e diasporës. Ashtu si në rastin e Izrael, popullsia e Greqisë është rreth 10 milionë. Sekretariati i Përgjithshëm i Helenëve Jashtë vendit vlerëson se të paktën 5 milionë grekë të tjerë banojnë jashtë Greqisë dhe Qipros.

Athina përballet me një mori sfidash demografike, përfshirë largimin e më të arsimuarve dhe rënien e popullsisë. Çfarë mund të bëjë Greqia për të tërhequr grekët e diasporës për të mbushur ato boshllëqe? Së pari, duhet të thjeshtohet procesi i aplikimit për marrjen e shtetësisë për grekët e diasporës.

Kërkesat aktuale janë të modës së vjetër. Për shembull, detyrimi për të regjistruar martesën e prindërve tuaj për të fituar një vend në pemën familjare. Po sikur prindërit tuaj të mos ishin ose të mos jenë martuar? Po sikur të jeni një anëtar i brezit të dytë të diasporës dhe njëri nga prindërit tuaj të ketë vdekur para se të kishte mundësi të merrnin shtetësinë greke?

Ndërkohë konsullatat dhe ambasadat greke jashtë vendit janë një “makth burokratik”, që duhet ndrequr.

Së dyti, krijimi i udhëtimeve uniforme të së drejtës së lindjes për grekët e diasporës. Kështu i ruajnë hebrenjtë në mbarë botën lidhjet e tyre kulturore dhe emocionale me shtetin e Izraelit. Me kalimin e viteve, Athina ka bërë progres në këtë drejtim përmes programeve si “Heritage Greece”.

Megjithatë, mbetet ende shumë për të bërë. Të ndihmosh grekët e diasporës të udhëtojnë sa më lehtë drejt atdheut të tyre stërgjyshorë, të mësojnë për historinë e tyre, të lidhen me rrënjët e tyre dhe të zhvillojnë ndjenjën e tyre të identitetit është e domosdoshme për ndërtimin e një Greqie më të fortë.

Së treti, duhet të vazhdohet të ndërtohen partneritete akademike me pjesën tjetër të botës së lirë. Marrëveshjet e reja për zgjerimin e Kolegjit Amerikan të Greqisë janë një lajm fantastik. Por Athina mund dhe duhet të shkojë më tej. 30 milionë turistë vizitojnë Greqinë çdo vit.

Më shumë se dyfishi i shumë njerëzve udhëtojnë në Spanjë dhe Francë. Megjithatë, Greqia nuk renditet as afër ndonjërit prej homologëve të saj kur bëhet fjalë për tërheqjen e studentëve në kudër të programeve të shkëmbimit ose në çështjet që lidhen me arsimin ndërkombëtar.

Merrni parasysh rastin tim: unë kam studiuar jashtë vendit në Australi, Kili dhe Francë. Si student në 2 universitete kanadeze, nuk kisha mundësi të merrja pjesë në një shkëmbim studentor, aq më pak të merrja kredite për një semestër të plotë në Greqi. Fatkeqësisht, asnjë nga universitetet e mia nuk kishte partneritet me universitetet greke.

Dhe ende nuk kanë. Mjerisht, nuk jam i vetmi grek i diasporës që e kam përjetuar këtë. Greqia është një vend i mrekullueshëm, i pasur me mijëra vjet histori dhe kulturë. Athina duhet të ketë prioritet tërheqjen dhe riatdhesimin e anëtarëve të diasporës greke. Përparësitë krahasuese janë të panumërta.

Programet e suksesshme si Vizat Dixhitale për Nomadët Grekë, tregojnë për tërheqjen magnetike të Greqisë. Kostoja e jetesës është e përballueshme në krahasim me shumë vende ku banojnë grekët e diasporës, përfshirë Kanadanë ku kam lindur vetë. Moti është gjithashtu shumë më i mirë. Nuk mungojnë grekët që janë të gatshëm të punojnë, investojnë dhe madje të zhvendosen në atdheun e tyre stërgjyshorë. Bëjuani më të lehtë dhe ata do të vijnë.

Shënim:George Monastiriakos, bashkëpunëtor në Qendrën për Politikat e Sigurisë me seli në Gjenevë, Zvicër.

/albeu.com

 

 

 


Shtuar 4.09.2023 14:11

Tags: