Pronarët e linjave të autobusëve urbanë në Tiranë nuk reshtin së kërkuari rritje të çmimit të biletës me pretendime absurde, por kur vjen puna te siguria dhe shërbimi çalojnë shumë, shkruan AlbEu.com.
Ditën e sotme (21 mars) policia e Tiranës arrestoi shoferin e urbanit të linjës së Laprakës. 57-vjeçari rezultoi se e drejtonte autobusin nën efektin e alkoolit.
Rreth një vit më parë, më 29 prill 2022 rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi, një autobus i linjës së Unazës së Re u përplas me një automjet dhe përfundoi në Lanë.
Si pasojë e aksidentit mbetën të plagosur 2 personat që ndodheshin brenda automjetit, i cili përfundoi poshtë rrotave të urbanit “Green Line” në lumin Lana.
Më 27 shkurt 2023, një tjetër urban “Green Line” i linjës së Unazës shkaktoi një aksident të shumëfishtë pranë urës së Tajvanit.
Autobusi u përplas me 9 automjete duke lënë pas 9 të plagosur.
Autobusët e flotës “Green Line”, të cilët kryejnë transportin e qytetarëve të Tiranës përgjatë Unazës së Vogël, u prezantuan një vit më parë dhe kanë shkaktuar jo pak probleme në qytet.
Sipas ekstrakteve në QKB, kjo kompani është regjistruar në emër të “CFO Farma” e cila është në pronësi të biznesmenit Nadir Çausholli.
Po në shkurt 2023, udhëtarët e linjës së Tiranës së Re u terrorizuan pas një sherri me leva hekuri në autobus.
Fatorinoja dhe kontrollori rrahën me leva hekuri një pasagjer pasi ky i fundit kishte hedhur biletën dhe nuk e kishte në dorë kur ia kishin kërkuar ta tregonte.
Më 2 maj 2022, një urban i linjës së “qytetit Studenti-Jordan Misja” u aksidentua në stacion pranë Fakultetitt të Shkencave të Natyrës.
Fatmirësisht nga aksidenti nuk pati të lënduar.
Më 4 maj 2022, autobusi i linjës “Kristal-Qendër” u përplas me një karrotrec po te stacioni i Trenit. Fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Edhe pse transporti urban përdoret masivisht nga qytetarët, duket se problematikat do të vijojnë dhe aksush nuk kujdeset të marrë masa./albeu.com