Mëngjesin e sotëm, një grabitje e guximshme është regjistruar në Muzeun e Luvrit në Paris, duke tronditur opinionin publik francez dhe ndërkombëtar.
Lajmi u konfirmua nga vetë ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati, e cila ndodhet aktualisht në vendngjarje.
“Një grabitje ndodhi sot në mëngjes, në hapje të muzeut të Luvrit. Nuk raportohet për persona të lënduar. Jam në vendngjarje së bashku me stafin e muzeut dhe policinë. Hetimet janë në vijim”, njoftoi ministrja në rrjetet sociale.
Sipas të përditshmes Le Parisien, tre autorë të maskuar kanë hyrë në muze nga ana e lumit Sena, ku aktualisht po kryhen punime ndërtimi.
Ata kanë shfrytëzuar një ashensor teknik për të arritur direkt në galerinë që kishin shënjestruar, ku ekspozohen objekte të çmuara të trashëgimisë perandorake franceze.
Pasi kanë thyer xhamin e sigurisë, dy prej autorëve kanë hyrë brenda, ndërsa i treti ka qëndruar jashtë për të ruajtur.
Ata kanë vjedhur nëntë objekte nga koleksioni i bizhuterive të Napoleonit dhe Perandoreshës, përfshirë një gjerdan, një karficë dhe një kurorë.
Burime brenda muzeut konfirmojnë se diamanti legjendar “Régent”, më i madhi i koleksionit me peshë mbi 140 karatë, nuk është prekur nga grabitja.
Vlera e dëmit nuk është bërë ende e ditur, ndërsa Policia franceze është në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Muzeu i Luvrit, është aktualisht i mbyllur për vizitorët. Institucioni më i vizituar muzeal në botë, Luvri ka regjistruar rreth 9 milionë vizitorë në vitin 2024, prej të cilëve 80% ishin turistë të huaj.