Grabitja e Rinasit/ SPAK kërkon 19 vite burg për Talo Çelën

Prokuroria e Posaçme shpall pretencën për Talo Çelën, lidhur me mega-grabitjen e 4.5 milionë eurove në aeroportin Nënë Tereza në Rinas, ngjarje e shënuar në muajin prill të vitit 2019.

SPAK kërkon dënimin e tij me 19 vite burgim. Pas leximit të pretencës, avokati i Talon Çelës, kërkoi pak kohë të njihej me materialin e SPAK.

Gjykata e Posaçme e përbërë nga Erjon Bani, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, caktuan seancën gjyqësore në datë 21 nëntor ora 10.00, ku do shpallet vendimi lidhur me Çelën.

Ky i fundit, është një nga personat më të shumëkërkuar në Shqipëri. Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit të koduar “Pl*mbi i Artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt, si dhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit.

Për ngjarjen e 2019, GJKKO në tetor të vitit të shkuar dënoi me 122 vite burg, 7 të pandehurit e grupit kriminal.

Klement Çala, u dënua me 20 vite, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Çela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me 17 vite burg. Të dënuarit po e vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.


Shtuar 4.11.2024 13:53