Gonzato i përgjigjet Berishës: Deklaratë pakëndshme, më shqetësoi nënkuptimi!

Deklaratës së papërshtatshme të Sali Berishës për orientimin seksual, iu përgjigj në “Top Story” ambasadori Silvio Gonzato.

Në një intervistë për Grida Dumën, ambasadori tha se e cilëson të pakëndshme deklaratën për jetën personale, dhe se është prekur nga “nënkuptimi se po bëja gjëra si ambasador i BE-së për shkak të historisë sime personale”.

Pjesë nga intervista:

Grida Duma: A kanë ata, ky komision, të drejtë të thonë diçka pasi Sali Berisha tha para ndërtesës së parlamentit, duke ju drejtuar juve, në një mënyrë të papërshtatshme? A reagoi siç duhej komisioni me të cilin keni, le të themi, bashkëpunim zyrtar?

Ambasadori: Dëgjoni, e di që është folur shumë për këtë. Mendoj se është koha të kthejmë faqen, për të qenë i sinqertë. Por më lejoni të them vetëm një gjë. Në nivel personal, deklaratat që janë bërë në atë rast, por edhe në raste të tjera në lidhje me jetën time private, do t’i përkufizoja thjesht si të pakëndshme, për të qenë i sinqertë. Dhe ato nuk më prekin edhe aq shumë. E dini, unë jam i rritur, siç thatë edhe ju, një burrë i moshuar. Unë i di zgjedhjet e mia, i kam bërë dhe u qëndroj besnik. Nuk kam pse të justifikoj asgjë. Ajo që më shqetësoi në atë rast ishte nënkuptimi se për shkak të këtyre zgjedhjeve personale, këto zgjedhje personale po më turbullonin gjykimin dhe se po bëja gjëra si ambasador i BE-së për shkak të historisë sime personale.

Kjo është diçka që nuk mund ta pranoja, sepse besoj se po e bëj punën time në mënyrë profesionale, me integritet. Dhe kështu isha vërtet i lumtur që shefja ime, Komisionerja Kos, ndërhyri dhe tha se kishte besim të plotë tek unë dhe kjo është e gjitha që më duhej. Nuk kam nevojë për asgjë tjetër. Nuk kam nevojë për ndonjë komision që të thotë nëse kjo ishte e drejtë apo e gabuar.


Shtuar 12.11.2025 23:17