Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit, kanë arrestuar një shtetas i shpallur në kërkim, pasi kishte goditur një punonjës të burgut në Fier.
Gjithashtu, në pranga kanë përfunduar edhe 4 shokët e tij, të cilët e kanë ndihmuar t’u fshihet autoriteteve policore.
Në kuadër të operacionit “Operacionalja 71”, është vënë në pranga shtetasi Elvis Roshi, 32-vjeç, banues në Fier.
“Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Goditja për shkak të detyrës”, kryer në bashkëpunim. 32-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë, ka goditur me grushte, për shkak të detyrës, 1 punonjës të IEVP Fier”, – thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndërkohë, gjatë operacionit janë arrestuar edhe shtetasit që shoqëronin 32-vjeçarin, Ermir Peqini, 33- vjeç, Dorian Cera, 34-vjeç, të dy banues në Tiranë, Arbit Nure, 29-vjeç dhe Fabjan Muçaj, 26-vjeç, të dy banues në Fier, të cilët akuzohen për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.
