Kostandin Dramolli u proceduar penalisht ditën e sotme për shkak se goditi me gurë xhamat e Bashkisë Korçë. Pasi ka dalë nga Komisariati, Dramolli ka folur edhe për mediat, ku ka theksuar se këtë incident e ka marrë vesh gjithë Shqipëria. Ai ka theksuar gjithashtu se ka shumë familjarë që nga katër tavolina nxjerrin bukën e gojës. I pyetur nëse është penduar për veprimet e tij, Dramolli tha se nuk pendohet dhe ky ishte një vendim i drejtë.
“E ka marrë vesh gjithë Shqipëria incidentin, e bëra dhe viral se populli nuk duhet të jetë shumë i fjetur, duhet të çohet e të tregojë se kush është karakteri i vërtet që ka njeriu. Kjo është arsyeja përse e kam bërë. Këtu në vendin ku ndodhem unë është e rrënuar, janë lokalet, të shkatërruara. E dha urdhrin Edi Rama, mori Sotiraqin në telefon dhe e shkatërruan lagjen time. Çfarë lidhje ka kjo, të heqim karriget, heqim barishtet. Edhe tavolinat, është gabim. Nga ato 4 tavolina njerëzit ushqehen. Ka shumë familjarë që nga katër tavolina nxjerrin bukën e gojës. Ka sulmuar disa lokale në Korçë, nuk janë sjellje prej kryeministri. Duhet të shohë popullin, që ka nevojë. Duhet të ngrejë rrogat. Unë merrem me rep por e mbaj e postin e kryeministrit një ditë.
Nuk pendohem unë, ishte vendim i drejtë. Nuk duhet të flesh gjumë. Ndihem mirë. Edhe burg e bëj. Kam qenë i dënuar. Jam rritur në geto. Shoqëria ime është gango. Nuk ka rëndësi sa i madh është Rama, populli duhet te ngrejë zërin. Nëse ai vazhdon, do bëhet me e madhe. Kam edhe çunat unë, gjithë qytetin e kam me vete. Do e marrin vesh si duhet, edhe bashkia edhe zotit Edi Rama do t’i shkojë llafi. Edhe të mos bëjë më nga këto gabime, por ta shohë situatën siç duhet,” shprehet Dramolli për mediat.