Policia italiane, ka finalizuar një operacion të rëndësishëm në Padova, duke arrestuar katër shtetas shqiptarë të dyshuar si pjesë e një grupi të specializuar në vjedhje, të njohur si “skifterët”.
Të arrestuarit u ndaluan teksa ktheheshin nga një grabitje e fundit e kryer në zonën e Pordenones.
Sipas mediave italiane, grupi dyshohet për një sërë vjedhjesh në banesa dhe për përvetësimin e sendeve të çmuara, me një dëm që vlerësohet rreth 200 mijë euro.
Gjatë kontrolleve në një apartament të marrë me qira, ku grupi fshihte sendet e vjedhura, autoritetet zbuluan bizhuteri të shumta floriri, ora luksoze, para cash dhe mjete të përdorura për thyerje.
Hetimet zbuluan se anëtarët e grupit kishin profile të ndryshme kriminale:
25-vjeçari, pa precedentë penalë më parë, tentoi të largohej për t’iu shmangur arrestimit. Ai jetonte në Itali që prej vitit 2018.
35-vjeçari, rezident në Itali që nga viti 2005, ishte dënuar më herët në vitin 2012 për vjedhje, si edhe në 2023 për armëmbajtje pa leje dhe posedim të mjeteve të vjedhjes.
34-vjeçari kishte disa arrestime të mëparshme në vitet 2023 dhe 2024 për vjedhje dhe rezultonte i kërkuar nga Prokuroria e Teramos për një tjetër rast të grabitjes me thyerje.
36-vjeçari, me disa dënime në vitet 2011, 2013 dhe 2021, ishte gjithashtu i kërkuar për një vendim prej dy vitesh e gjysmë burg në lidhje me rreth 40 vjedhje në rajonin Tri-Veneto.
Materialet e sekuestruara u morën në cilësinë e provave, ndërsa të katër të arrestuarit janë dërguar në paraburgimin e Pordenones, ku pritet të dalin për masë sigurie dhe më pas të përballen me akuzat për vjedhje të organizuar.
