Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë finalizuar operacionin “Momentum”.
Dy persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia bën me dije se të katërt ishin administratorë të një subjekti call center dhe mashtronin shtetasit e huaj nëpërmjet telefonit që të investonin në bursa fiktive.
Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. K., 27 vjeç, dhe M. K., 25 vjeç, të dy banues në Tiranë si dhe u shpallën në kërkim shtetasit J. K., 51 vjeçe, dhe E. K., 32 vjeç.
Këta 4 shtetas kishin në administrim një call center në Rrugën e Zallit, në të cilin ishin të punësuar rreth 60 punonjës, të cilët, së bashku me administratorët, telefononin shtetas të huaj, kryesisht italianë, iu prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.
Gjatë operacionit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 68 000 euro, njësi kompjuterike, aparate celulare, tabletë, mandate pagesash dhe blloqe me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.