Goditen tre raste të shitjes së kanabisit në Elbasan, arrestohen 4 persona dhe procedohen 2 të tjerë

Policia e Elbasanit ka nisur një aksion kundër shpërndarësve të lëndëve narkotike në qytet.

Në pranga kanë rënë tre të rinj, të cilëve iu gjet një sasi kanabisi në makinën që lëviznin në lagjen ‘5 Maji’.

Policia bëri me dije se ka proceduar po ashtu një 36-vjeçar që iu gjet një sasi kanabisi në makinë.

Ndërsa në pranga ka rënë edhe një 36-vjeçar pasi iu gjet një thikë, e cila dyshohet se ishte për shitje. Po ashtu u procedua një 33-vjeçar për kanabis.

Njoftimi i Policisë së Elbasanit:

Si rezultat i monitorimit 24/7, të të gjithë territorin e qarkut, si dhe i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë policore, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të operacionit “Terreni”, goditën 3 raste të shitjes së lëndës narkotike Cannabis Sativa dhe 1 rast të shitjes së armës së ftohtë. Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste:

-u arrestuan shtetasit O. Ç., 21 vjeç, H. B., 20 vjeç dhe K. P., 19 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin me të cilin ata lëviznin në lagjen “5 Maji”, u gjet sasi lënde narkotike Cannabis Sativa e ndarë në doza gati për shitje;

-u arrestua shtetasi G. M., 36 vjeç dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 33 vjeç, pasi nga kontrollet fizike, në lagjen “Beqir Dardha”, të arrestuarit iu gjet 1 armë e ftohtë (thikë) që dyshohet se posedohej me qëllim shitjen, ndërsa të proceduarit iu gjet një sasi Cannabisi;

-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. S., 36 vjeç, pasi nga kontrolli në automjetin që drejtonte në lagjen “Partizani”, u gjet një sasi Cannabisi.

Lënda narkotike dhe arma e ftohtë, të gjetura në këto raste, u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme”.


Shtuar 4.11.2025 16:24