Mbrëmjen e sotme Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe krimin ekonomiko-financiar ka ndërmarrë një aksion kundër call center-ave.
Burimet bëjnë me dije se forcat policore kanë mësyrë në dy Call Center-a, një në rrugën e Kavajës dhe një tjetër pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë, ku punonin dhjetëra operatorë.
Të lidhura
None found
Kujtojmë se ditën e djeshme, Top Channel publikoi një dokumentar ekskluziv mbi fenomenin e call center-ave mashtrues, ku u tregua se operatorët kurrë nuk prezantohen me emrin e vërtetë dhe joshin qytetarët me premtime për fitime të mëdha: Sa më shumë investon, aq më shumë fiton!
Sipas National Crime Agency në Britani, e cila bashkëpunon me hetuesit shqiptarë, mashtrimet kryhen kryesisht përmes numrave virtualë (VoIP), duke shkatërruar ekonomikisht mijëra europianë. Në disa raste, viktimat kanë shprehur në përgjime se do t’i japin fund jetës nga dëshpërimi.
SPAK ka renditur raste ekstreme të zhvatjes, të dokumentuara përmes bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Një nga viktimat tregoi në dokumentar:
“Unë praktikisht kam humbur të gjitha kursimet e mia dhe të gruas. Nuk e dija kush ishin personat që më kontaktuan. Ishin shumë të aftë, më krijuan besim, më thoshin se do fitoja 1 milion euro. Fillova ta kuptoj kur platforma online u zhduk dhe nuk pashë më asnjë.”-tha ai.
