Këtë të hënë, në Gjykatën Speciale në Hagë, nisën deklaratat përmbyllëse për rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.
Prokurorja Kimberly West, ka thënë se nuk kërkohet dënim për Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, por për personat e akuzuar, duke kërkuar 45 vjet burgim.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkon vendim dënimi për të gjitha pikat e aktakuzës dhe një vendim të vetëm prej 45 viteve, mbështetur në kontributet individuale të krimeve të kryera nga secili prej personave, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Këto janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë të rënda dhe këto akuza nuk e kanë humbur vlerën e tyre me kalimin e kohës”, tha ajo.
Ajo ka pretenduar se 100 persona janë vrarë dhe qindra tjerë janë abuzuar, në dhe rreth 50 plus kampeve të ndalimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Kjo çështje ka të bëjë me qëllimin e katër të akuzuarve për të fituar dhe ushtruar kontroll në gjithë Kosovën. Kjo vendosmëri për kompetencë dhe fuqi u has me diçka, dhe kjo kishte të bënte me persona që kishin dalë si kundërshtarë ose përcaktoheshin se ishin bashkëpunëtorë me forcat serbe, ose zyrtarë serbë, ose që nuk mbështesinin synimet e UÇK-së”, u shpreh West.
Sipas saj, shpesh aty përfshiheshin persona të lidhur me Lidhjen Demokratike të Kosovës, persona romë dhe serbë.
“Në mënyrë që ta arrinin qëllimin e tyre, këta persona të akuzuar kanë kryer krime kundër kundërshtarëve të tyre të perceptuar për të pasur kontroll në gjithë Kosovën”, shtoi ajo.
Ndërkohë, Prokurori Alan Tieger përsëriti se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, ishin në vijën e parë të UÇK-së prej fillimit dhe kishin rol të rëndësishëm.
Tieger përmendi që të dy kanë shkuar në Zvicër më 1994 dhe deri më 1998, janë kthyer në Kosovë çdo 3-4 muaj dhe kanë qëndruar aty për disa javë secilën herë.
“Thaçi dhe Veseli kanë pasur detyra të rëndësishme gjatë asaj kohe, të mbanin kontakte, të sillnin armë, përfshirë shtatë prej 12 RPG-ve që u përdorën në sulmet e sinkronizuara ndaj 12 stacioneve policore serbe në shtator të 1997-ës”, tha ai, sipas REL.
Sipas tij, Thaçi e fitoi reputacionin e personit që lidhi luftëtarët në Kosovë dhe planifikuesit që jetonin në mërgim.
Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, dhe Rexhep Selimi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
