Gjykata liroi nga qelia 19-vjeçarin që gjymtoi të renë në aksident, reagon Prokuroria

Mbrëmjen e djeshme u publikua në media lajmi se, Jehon Breçani, 20-vjeçari që përplasi këmbësoren rreth tre javë më parë në Tiranë, është liruar nga qelia, pa bërë asnjë ditë burg.

Gjykata ka ndryshuar masën e sigurisë për djalin e ish-zv.drejtorit të Policisë së Shtetit, nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.

Në lidhje me këtë vendim, ka reaguar Prokuroria, ku ka parashtruar 4 argumente dhe ka theksuar se dëmtimet që e reja ka pësuar janë mjaft të rënda ndërsa 19-vjeçari ka qenë duke udhëtuar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Argumentet e prokurorisë

-Pavarësisht se ende nuk është përcaktuar mekanizmi i zhvillimit të aksidentit, dëmtimet e viktimës në momentin e parë të ngjarjes kanë qenë të një shkalle të tillë që kanë sjellë nevojën që të dërgohet në urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës dhe referuar fakteve të njohura botërisht se viktima ka humbur një gjymtyrë të poshtme. Gjatë seancës së shqyrtimit të kësaj kërkese nga ana jonë është paraqitur akti i ekspertimit mjeko-ligjor të viktimës ku ka rezultuar se dëmtimet kanë qenë të rënda dhe viktima ka gjymtim të përhershëm në masën mbi 1/3 të aftësive të përgjithshme.

-Së dyti, pavarësisht se nuk është përfunduar akti i ekspertimit autoteknik, qartazi nga rrethanat e ngjarjes të bëra tashmë publike, personi nën hetim nuk ka qenë duke zbatuar rregullat e qarkullimit rrugor.

-Gjithashtu pavarësisht rrethanave personale të personit nën hetim, gjendjes së tij shëndetësore, për të cilën ende nuk është administruar akti i ekspertimit si dhe faktit të normalizimit të marrëdhënieve, këto rrethana nuk ndikojnë në kualifikim ligjor të faktit penal. Vepra penale parashikuar nga neni 290/2 i K. Penal ka një rrezikshmëri të lartë ndaj dhe dispozita parashikon burgimin që fillon nga 1 deri në 5 vjet. Në këto kushte vlerësojmë se në bazë të akteve që disponohen deri në momentin e caktimit të masës nuk ndodhemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit personal.

-Së fundmi, duhet mbajtur parasysh fakti se pavarësisht praktikës së ndjekur për caktimin e masave të sigurimit persona ndaj këtyre shtetasve dhe rrethanave personale, numri i rasteve të arrestimit në flagrancë në këtë kategori veprash penale, vijon të mbetet i lartë, çka tregon që kjo masë shtrënguese nuk ka arritur të jetë efektive. Nga gjykata duhet të mbahet parasysh fakti që kjo vepër penale është mjaft e përhapur në shoqërinë shqiptare dhe pasoja e mundshme është e rëndë./albeu.com


Shtuar 29.06.2021 17:36