Gjykata lëshon urdhër arrest për Atilla Kardesh, ish-banorin e Big Brother VIP Kosova 3

Në një përballje të tensionuar gjyqësore, Gjykata ka lëshuar urdhër arrest ndaj Atilla Kardesh, ish-banor i edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova, i cili ndodhet në një proces ligjor me ish-bashkëshorten e tij, Drenusha Latifi.

Shkak për këtë vendim u bë mungesa e Kardesh në seancën e fundit gjyqësore, mbajtur dje, e cila zgjati deri në orën 13:40. Avokati i tij deklaroi se klienti ishte detyruar të udhëtonte për në Suedi për çështje të lidhura me nënshtetësinë.

“Para tre ditësh më ka njoftuar përmes telefonit se i është dashur të udhëtojë në Suedi për t’i rregulluar disa çështje që lidhen me nënshtetësinë”, tha mbrojtësi i Kardesh gjatë seancës. Megjithatë, ai theksoi se nuk kishte marrë asnjë dëshmi për ta paraqitur në gjykatë si provë të udhëtimit. “Unë vetëm mundem me thënë me përgjegjësi se deri në këtë moment nuk më ka siguruar kurrfarë dëshmie i mbrojturi im”, u shpreh ai.

Në anën tjetër, përfaqësuesja ligjore e Drenusha Latifit kundërshtoi ashpër këto pretendime, duke i cilësuar si të pabaza. Sipas saj, Kardesh është shtetas i Suedisë dhe Kosovës dhe nuk ka ndonjë problem me statusin e nënshtetësisë. Ajo citoi informacione të konfirmuara nga vetë klientja e saj, që e përjashtojnë këtë arsye si të vlefshme për mungesën në seancë.

Në përfundim, gjykata vendosi që seanca të shtyhet për datën 25 shtator 2025, në ora 09:30, ndërsa për të pandehurin Atilla Kardesh është lëshuar urdhër arrest për mungesë të pajustifikuar.

Palët e pranishme në sallën e gjyqit u njoftuan se kjo datë e re vlen si zëvendësim i ftesave të rregullta. 


Shtuar 24.07.2025 19:45