Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Astrit Patozit për të shfuqizuar nenin që shpërndan mandatet e deputeteve sipas heresit.
Kjo do të thotë që në zgjedhjet e ardhshme, deputeti që merr më shumë vota hyn në Kuvend, pa pasur rëndësi renditja.
Pas këtij vendimi ka reaguar Patozi përmes një postimi në Facebook. Ai shkruan se është një vendim i duhur, edhe pse i vonuar.
Reagimi i Patozit:
VENDIM I DUHUR EDHE PSE I VONUAR
E përshëndesim vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e herësit të Damianit, i cili e mbyllte me dry kinez listën e deputetëve, që e kishte hapur më parë Kushtetuta.
Në pritje të zbardhjes të vendimit, për të cilin nuk besojmë të ketë të papritura, e falenderojmë trupën, që për këtë çështje nuk iu drejtua Komisionit të Venecias.
E kemi ditur që në fillim dhe nuk prisnim që kjo e drejtë do të aplikohej për zgjedhjet e 25 prillit, i cili do të kishte qenë shërbimi i duhur dhe në kohë për demokracinë dhe shtetin tonë të së drejtës. Por tek e fundit, në Shqipëri do të ketë prapë zgjedhje edhe pas 25 prillit. Kjo ishte e vetmja mundësi që kishim për të vlerësuar votën dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë, siç ata e hedhin, dhe ne atë e shfrytëzuam.
Pas kësaj, presim që këtë vendim ta përshëndesë edhe Partia Demokratike, si forca kryesore e opozitës, sepse ajo para zgjedhjeve është shprehur për lista 100 përqind të hapura./albeu.com