Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj seancës së sotme të Gjykatës Kushtetuese, e cila po shqyrton kërkesën e dy shoqatave të gjyqtarëve për rritjen e pagave. Rama e ka cilësuar procesin si “farsën më të shëmtuar të imagjinueshme”, duke theksuar se seanca po zhvillohet pa transmetim të drejtpërdrejtë për arsye teknike.
Sipas Ramës, gjyqtarët janë tashmë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, falë mbështetjes që shumica qeverisëse i ka dhënë pushtetit gjyqësor në kuadër të Reformës në Drejtësi.
Ai akuzon shoqatat e gjyqtarëve se po kërkojnë të thyejnë piramidën shtetërore të pagave, duke tentuar të sigurojnë me vendim gjykate të drejtën për rritje automatike të pagave sa herë rriten pagat e kategorive të tjera.
Kryeministri u shpreh se shpreson që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë këtë precedent, duke paralajmëruar se një vendim i tillë do të përbënte një “turp kombëtar”.
Reagimi i Ramës:
Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!
Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar! Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit.
