Gjykata Kushtetuese merr vendimin, hap listat e kandidatëve për deputetë

Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Astrit Patozit për të shfuqizuar nenin që shpërndan mandatet e deputeteve sipas heresit.

Kjo do të thotë që në zgjedhjet e ardhshme, deputeti që merr më shumë vota hyn në Kuvend, pa pasur rëndësi renditja.

Vendimi i GJK:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 09.06.2021 çështjen me kërkuese partinë “Bindja Demokratike” dhe partinë “Lëvizja Demokratike Shqiptare”, me objekt shfuqizimin e nenit 163 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar me nenin 21 të ligjit nr. 118/2020, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.

– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ndërsa me një vendim tjetër, gjykata rrëzon 5 aleatet e Bashës që kishin pretendime për formulën e financimin të partive me fondet shtetërore.

Vendimi i GJK:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancën plenare publike të datës 17.06.2021 çështjen me kërkuese Partinë Republikane të Shqipërisë, Partinë Agrare Ambientaliste, Partinë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partia Demokristiane të Shqipërisë, me objekt shfuqizimin e fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor: “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.”, si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese
VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës.Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar./albeu.com


Shtuar 30.06.2021 15:25