Gjykata Kushtetuese ktheu Ballukun në detyrë/ Publikohet në Fletoren Zyrtare vendimi

Gjykata Kushtetuese ktheu në detyrë zv.kryeministren, njëherësh ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ndërkohë vendimi i Gjykatës Kushtetuese është publikua edhe në Fletoren Zyrtare.

Me shumicë votash të gjyqtarëve kushtetues, u vendos shfuqizimi i pezullimit të Ballukut, pra pesë gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese kanë votuar pro pranimit të kërkesës së Ramës, ndërsa tre të tjerë kanë votuar kundër shqyrtimit të çështjes së pezullimit të Ballukut.

Në vendimin e plotë, thuhet se në mbledhjen e gjyqtarëve votuan pro vendimit të GJKKO gjyqtarët Sonila Bejtja, Gent Ibrahimi Sandër Beci, Marjana Selimi dhe Fiona Papajorgji, ndërsa kundër votuan Ilir Toska, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi.

Ndërkohë më 22 janar, në një seancë publike që do të nisë në orën 10:00, Kushtetuesja do të shqyrtojë ankimin e Ramës për të cilin do duhet të shprehet nëse GJKKO e ka fuqinë apo jo të pezullojë një anëtar të Këshillit të Ministrave. Në këtë seancë, përveç qeverisë që është palë në çështje, Kushtetuesja ka thirrur edhe përfaqësues nga SPAK, GJKKO, Kuvendi dhe Presidenti si subjekte të interesuara.

Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.

Por sot Gjykata Kushtetuese rrëzoi masën e pezullimit të vendosur nga GJKKO dhe riktheu në detyrë Belinda Ballukun si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.


Shtuar 12.12.2025 21:23