Gjykata e Durrësit shpall moskompetencë për çështjen Beleri, Dule: Vendim politik

Pas GJKKO, ditën e sotme, 10 tetor, edhe Gjykata e Durrësit ka shpallur  moskompetencë për kërkesën e Fredi Belerit për t’u liruar nga burgu që të betohet si kryebashkiak i Himarës.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Entela Shedula, ndërsa e pranishme në seancë ishte edhe ambasadorja greke Kostandina Kamitsi. Gjykata e Durrësit vendosi që t’ia dërgojë për shqyrtim kërkesën e Fredi Belerit Gjykatës së Lartë. Do të jetë kjo e fundit që do të vendosë se cila gjykatë do të shqyrtojë kërkesën e Belerit.

Pas vendimit të Gjykatës së Durrësit, kreu i PDBDNJ-së Vangjel Dule, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e mban Belerin në burg me qëllim që të mos betohet si kryebashkiak.

“Juve e shikoni se topi hidhet në shkallët e stadiumit në vend që të luhet loja juridike me norma dhe rregulla, kompetenca e moskompetencës. Unë do u thosha të gjithëve, ti hedhim një sy konventës evropiane të të drejtave të njeriut. Një qytetar i cili prezumohet i pafajshëm, i zgjedhur nga komuniteti i Himarës për të qenë kreu i bashkisë së tyre, si pengohet për të kryer betimin? S’ka asnjë ligj që e pengon të betohet. Ky është një vendim kryekëput politik. Ai mbahet në burg nga kryeministri Rama.

Duhet të dallojmë me shumë vëmendje, kushdo mund të jetë i ndaluar por jo i dënuar”, tha Dule.

Fredi Beleri u arrestua në ambientet e një lokali në Himarë, vetëm 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, dhe akuzohet pwr blerje votash. Beleri nuk ka mundur të marrë detyrën, pasi autoritetet gjyqësore nuk i dhanë leje për të kryer betimin. /Albeu.com 


Shtuar 10.10.2023 13:02