Pas vizitës së Presidentit turk në Tiranë, Rexhep Taip Erdogan, në shkollat e Shqipërisë po vlerësohet mësimi i gjuhës turke. Në një dokument të siguruar nga ABC, vetëm tri ditë nga vizita e Erdogan Drejtoria Arsimore e Tiranës u kërkoi mësuesve të shkollave 9-vjeçare që të përzgjidhnin nxënësit që duan të mësojnë gjuhën turke si lëndë me zgjedhje.
Kanë qenë mësuesit të cilët u kanë dërguar një mesazh online klasave përkatëse ku u kërkohet që të bëhet ndarja për përzgjedhjen e lëndës së gjuhës turke, si lëndë me zgjedhje. Mësohet se mesazhi online është dërguar tek prindërit e nxënësve të klasave të 6 deri në klasën e 9-a.
Rrënjët e këtij urdhri datojnë që në 2 mars 2021 ku u firmos një marrëveshje mes dy qeverive ku parashikohej futja e gjuhës turke në shkollat shqipe si lëndë e një gjuhe të huaj me zgjedhje të lirë, me qëllim një programi pilot në gjuhën turke.
Në nenin 3. pika 2, sanksionon edhe futjen e gjuhës turke në shkolla. Në këtë pikë thuhet qartë se palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.
Mësimdhënia dhe nxënia e gjuhëve zyrtare
Palët do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër, brenda sistemit të tyre arsimor.
Pala shqiptare synon të kryejë një vlerësim për kërkesat, për të mësuar gjuhën turke si një gjuhë e huaj si lëndë me zgjedhje të lirë, me qëllim shpalljen e një programi pilot në gjuhën turke.
Pala shqiptare do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve turq në seminaret/kurset verore të gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Pala turke do të sigurojë çdo vit kuota për pjesëmarrjen e studiuesve/studentëve shqiptarë në seminaret/kurset verore në gjuhën dhe kulturën turke.
Neni 4:
Personeli arsimor
Palët do të lehtësojnë shkëmbimin e mësuesve dhe akademikëve në vendet e njëri-tjetrit për të mësuar gjuhët zyrtare, brenda kuadrit të legjislacioneve të tyre kombëtare, dhe do të informojnë palën pritëse përmes rrugëve diplomatike.
Palët do të lehtësojnë procedurat e dhënies së vizave, lejeve të qëndrimit dhe të punës për mësuesit dhe akademikët e caktuar, si dhe anëtarët e familjeve të tyre brenda objektit të kësaj marrëveshjeje.