Deputetja e Partisë Socialiste, Etilda Gjonaj prezantoi sot në Kuvend ndryshimet në projektligjin “Për një shtesë dhe disa ndryshime në ligjin nr. 60/2023 “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucione publike të arsimit të lartë”.
Në fjalën e saj Gjonaj tha se “ndryshimet e parashikuara në këtë projektligj vijnë si reflektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në 25 janar 2024 për ligjin “Për trajtimin e studentëve të mjekësisë”.
“Kjo iniciativë ligjore vjen pas shqyrtimit në 3 mbledhje radhazi në Këshillin e Legjislacionit, i cili më pas i ka paraqitur kryetarit të Kuvendit raportin dhe nismën legjislative dhe relacionin”, tha Gjonaj.
Gjonaj u shpreh se “ky ligj i është nënshtruar filtrit të Gjykatës Kushtetuese për të gjitha pretendimet që subjektet kanë kërkuar tek kjo e fundit duke përfshirë cenimin e parimit të sigurisë juridike ,të drejtën për arsim të lartë, të drejtën për të zgjedhur punën, dhe testin e proporcionalitetit të këtyre parashikimeve ligjore”.
“Gjykata kushtetuese në vendimin e saj ka përcaktuar dy momente, të cilat i ka konsideruar se duhet të rishikohen, për të cilat ne si iniciatorë të këtij projektligji i kemi reflektuar ekzaktësisht në dispozitat dhe parashikimet ligjore që kanë ardhur në këtë projektligj”, nënvizoi Gjonaj.
E para, vijoi Gjonaj, lidhet me rishikimin e afateve të nenit 4 të ligjit me qëllim garantimin e parimit të proporcionalitetit të ndërhyrjes deri në një kufi jo më të gjatë se sa 3 vjet.
“Nisur nga efekti detyrues për zbatimin e vendimit në pjesën arsyetuese dispozitive kemi propozuar parashikimet e reja të dispozitave duke iu përmbajtur me përpikmëri këtyre detyrimeve. Në vendimin e saj Gjykata ka arsyetuar se e drejta për arsim të lartë është një e drejtë që orientohet nga shteti drejt krijimit, zhvillimit dhe mbrojtjes së dijeve kufijtë e të cilës mund të përcaktohen rast pas rasti edhe ne varësi të nevojave dhe interesave publike duke ruajtur balancën midis të drejtave”, nënvizoi Gjonaj.
Gjonaj tha se “interesi publik për të garantuar plotësimin e nevojave për burime njerëzore në kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik në institucionet shëndetësore është mjaft i lartë, prandaj dhe dispozitat që përcillen janë hartuar në proporcion me nevojat e diktuara për përmbushjen e këtij interesi të lartë publik, në zbatim të dispozitivit të vendosur nga Gjykata Kushtetuese”.
Diskutimet në Kuvend për ligjin “Për trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e Përgjithshme” në institucione publike të arsimit të lartë” rinisën pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë.
Ndryshimet e propozuara në projektligj janë në përputhje me objektivat e parashikuara të nenit 59 të Kushtetutës. Me këto ndryshime ulen në 3 vitet e punës për studentë që fillojnë rishtas, për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt në 2 vite dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë në vetëm një 1.