Drejtuesi i Departamentit të mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi ka mbajtur një deklaratë për mediat, pasi Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin për heqjen e sekuestros së pasurisë. Gjatë fjalës së tij, Malltezi ka lëshuar akuza të rënda ndaj sistemit të drejtësisë në Shqipëri, duke e cilësuar procesin ndaj tij si tërësisht të ndotur politikisht.
Malltezi deklaroi se në çështjen e tij mungon fakti penal, ndërsa prokurorët kanë kryer mbi 30 falsifikime dhe se gjykatat janë kthyer në “lepe peqe” të prokurorisë dhe pushtetit. Një tjetër pikë e denoncimit ishte shkelja e afateve ligjore. Ai shpjegoi se ligji antimafia lejon sekuestrimin për një afat maksimal dyvjeçar, por në rastin e tij kanë kaluar 2.5 vite pa një vendim.
Jamarbër Malltezi: Çështja është që këtu nuk ke çështje, nuk ke fakt penal. Këtu të gjithë pretendimet e fillimit, premisat e fillimit dolën të gënjeshtra. Prokurorët kanë bërë mbi 30 falsifikime. Kur nuk ke fakt penal, kur premisat dalin të rreme, cilido student i juridikut që të ishte, do ngelte në klasë në rast se do i mbante.
Këtu për fat të keq, gjykatat tona janë bërë lepe peqe të prokurorisë. Siç e pamë para vetëm para një jave, Gjykata e Strasburgut gjeti Shqipërinë me shkelje. Thelbi i shkeljeve është shpifja dhe falsifikimi i Taulant Ballës. Domethënë shpifja e Taulant Ballës u bë falsifikim për prokurorët politikë. Prokurorët politikë i imponohen gjykatës. Prokurorët politikë mbërritën deri aty sa i thanë gjykatës që ne mund të sekuestrojmë çështje civile dhe ju si gjykatë na e bëni ne kërkesën. Imagjinoni dot ku jemi? Pra nuk janë palë. Për fat të keq, nuk kemi të bëjmë me një shtet ligjor, kemi të bëjmë me thjesht lepe peqe. Kemi një çështje e cila nuk ka fakt penal. Kemi mbi 30 falsifikime të dokumentave zyrtarë, ku mbërrin prokurori falsifikon deri ligjin, imagjinoji të tjerat. Kemi të njëjtin prokuror i cili liroi fshehurazi gjithë pronat e Oljan Bistrit me krimin e organizuar.
Drejtësia e Edi Ramës e kapur në çdo nivel të saj. Të kemi parasysh që dhe ligji antimafia maksimumin lejon gjashtë mujori, i ka afatet e sekuestrove. Me detyrimin e gjykatës që çdo gjashtë muaj mund ta zgjasi deri në dy vit. Pra afati final duhet të ishte dy vite. Këtu kanë kaluar 2.5 vite dhe nuk guxojnë gjyqtarët të shprehin atë që duhet të shprehin, që premisat ishin të rreme. Dhe mbi bazë të premisave të rreme që në krye të herës ka qenë e gjitha, proces i ndotur politikisht.
Të kemi parasysh që këtu kanë shkelur të drejta kushtetuese dhe konventore, jo vetëm të miat, por edhe të personave që nuk kanë asnjë lidhje në çështje, duke përfshirë dhe të partnerit tim në biznes, që është person i lidhur me personin e lidhur të personit të lidhur. Pra çfarë kemi të bëjmë? Kemi të bëjmë me anti-ligjin. Anti-ligji i cili imponohet përmes fytyrës së Edi Ramës e Irena Gjokave. Kjo është çështja. Ne do përballemi, do vijojë. Strasburgu sërish do t’i gjejë të gjitha këto me shkelje, por për fat të keq, nuk kemi të bëjmë me shtetarë, nuk kemi të bëjmë me zyrtarë, kemi të bëjmë me lepe peqe, nuk kemi të bëjmë me gjykata të pavarura, kemi të bëjmë me gjyqtarë të kapur, kemi të bëjmë me frikën ndaj ndaj Edi Ramës dhe sulltanatit që ka krijuar.
Gazetari: Gjykata e lartë rrëzoi sot rekursin tuaj për pasuri në lidhje me vendimin e 16 janarit për atë pasurore. E njëjta gjë. Do t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese dhe a do kërkoni ju ekspertë të rinj për vlerësimin financiar të pasurive?
Jamarbër Malltezi: Po patjetër. Pak rëndësi ka ajo. E rëndësishmja është që këtu janë në shkelje të ligjit. Kur ligji antimafia të lejon maksimumi deri dy vjet dhe të bësh çdo gjashtë muaj, nuk mund ta zgjasësh pa mbarim. Ne jemi 2.6 vite, dy vite e gjysëm. Pra jemi goxha më tepër se ç’të lejon ligji. Qartazi ne do i drejtohemi Strasburgut. Qartazi, Gjykata e Lartë, po të kemi parasysh, janë të njëjtët njerëz të cilët në rastin tim e ndërruan, në rast tjetër kanë ndërruar dhe kanë thënë që neni për korrupsionin pasiv nuk mund të shtrihet tek privati. E kanë thënë vetë, është e zezë në të bardhë. Por duhet të jetë e para zyrtar publik, e dyta zyrtar publik që të ketë të bëjë direkt me cilësitë dhe duhet që gjykatat të tregojnë cilat cilësi kanë ndikuar. Këtu s’kemi asnjë gjë. Pra janë të njëjtët gjyqtarë që janë lepe peqe të pushtetit. Nuk na çudit asnjë gjë. Ne do presim përsëri Strasburgun. Qartazi, këtu kemi të bëjmë me vjedhjet e Edi Ramës, me lepe peqe prokurorë, lepe peqe kamikaz të Edi Ramës, por neve vetëm Strasburgun kemi. Strasburgu para një javë e rrëzoi. Për fat të keq dhe Kushtetuesja i rrëzoi. Natyrisht ne do kalojmë nga Kushtetuesja, por dhe Kushtetuesja i bën lepe peqe. E pamë vendimin e Strasburgut që tha që gjyqtarët u treguan lepe peqe, nuk kanë zbatuar ligjin. Pra e gjeti Shqipërinë me shkelje në aksesin në gjykatë.

