GJKKO urdhëron SPAK të nisë hetimet për Erion Veliajn dhe Arbjan Maznikun

Gjykata e Posaçme, ka urdhëruar SPAK të nisë hetimet për ish-kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn dhe ish-nënkryetarin Arbjan Mazniku.

Hetimet ndaj Erion Veliajt dhe ish-vartësit të tij, lidhen me prishjen e ndërtesave tek zona e “5 Majit”.

Kallëzimi i ngritur ndaj ish-kryebashkiakut dhe Arbjan Maznikut, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” është pushuar nga Prokuroria e Tiranës.

Ndërsa çështja është dërguar për kompetencë të SPAK nga Gjykata e Apelit e Tiranës, kërkesë që është pranuar nga GJKKO.

Ndërkohë gjyqtarja e posaçme, Rudina Palloj vendosi:“Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me datë 14.04.2023, me objekt: “Pushimin e çështjes penale me nr. 1782 të vitit 2022, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shkak se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale””.

“Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”, thuhet në vendim.

NJOFTIM PËR MEDIAT

Pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me datë 08.09.2025 është regjistruar kërkesa me nr. 140 regj.them., dërguar për kompetencë nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, me kërkues Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me objekt: “Pushimin e çështjes penale me nr. 1782 të vitit 2022, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shkak se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Rudina Palloj, bazuar në nenet 112, 128, 128/a pika 1 shkronja “b”, 329 dhe 329/b e vijues të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 140, datë 30.09.2025, vendosi:

Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me datë 14.04.2023, me objekt: “Pushimin e çështjes penale me nr. 1782 të vitit 2022, të regjistruar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, për shkak se fakti nuk parashikohet nga ligji si vepër penale”.

Kalimin e akteve që ndodhen pranë kësaj gjykate, të përcjella nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtën e ankimit brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Tiranë, më datë 02.10.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.


Shtuar 2.10.2025 12:27