Gjykata e lartë ka rrëzuar ditën e sotme rekursin e kompanisë “Marina Bay Saranda për të shfuqizuar sekuestron e vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Krimit dhe Korrupsionit për bazën detare të Sarandës.
Kujtojmë që me vendim të GjKKO baza detare e Sarandës u sekuestrua në shkurt të këtij viti, pasi SPAK paraqiti kërkesën me arsyetimin se privatizimi i bazës kishte cënuar operacionalitetin e forcave detare.
Kompania koncesionare e apeloi vendimin fillimisht në Gjykatën e Posaçme të Apelit, por Apeli la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Në 16 maj kompania e apeloi sërish vendimin, këtë herë në Gjykatën e Lartë. Por edhe kjo gjykatë ka vendosur ta lërë në sekuestro bazën detare.
Ministria e Financave nënshkroi më 1 korrik të vitit 2020 me kompaninë Marina Bay Saranda një kontratë qiraje me vlerën 1 euro për dhënien e 265 mijë metër tokë publike në Gjirin e Limionit, në Sarandë. Në bazë të projektit, kompanitë do të ndërtonin aty një port jahtesh si dhe një resort turistik me vila, hotele dhe apartamente.
Por brenda sipërfaqes prej 265 mijë metrash, gjenden dhe 40 mijë metër tokë, pjesë e bazës detare të Sarandës, që është në pronësi të Flotës Detare. Për këtë shkak, kontrata u kallëzua në SPAK nga ish komandanti i Flotës Artur Meçollari, i cili pretendon se privatizimi i pronës së Flotës është bërë në kundërshtim me ligjin dhe cënon kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Në lidhje me këtë çështje është thirrur disa herë në SPAK ministrja Olta Xhaçka, por edhe funksionarë të lartë të forcave të armatosura, përfshirë ish-shefin e Shtabit, Bardhyl Kollçaku.