GJKKO publikon procesverbalin e seancës: Prokurori nuk iu drejtua Veliajt me fjalën “ndyrësirë”, nuk rezulton as në sistemin audio (FOTO)

Kryebashkiaku Tiranës,  Erion Veliaj, tashmë i burgosur por ende në hetim, duket se nga dita në ditë po i rëndon akuzat ndaj vetes.

Pasi u la në qeli si person me rrezikshmëri të lartë kriminale për të prishur provat dhe hetimet, apo më keq edhe për t’u arratisur nga vendi, Veliaj pas kërcënimeve të djeshme ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve që po punojnë për faktimin e korrupsionit të dyshuar, krijimin e një pasurie përrallore nga ai dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, apo edhe për pastrimin e parave, tashmë shfaqet edhe si falsfikator i procesverbaleve të seancave gjyqësore.

Kjo pasi, Erion Veliaj, publikoi sot nga qelia diskutimet të cilat ai pretendon se janë zhvilluar gjatë seancës për dhënien e masës së sigurisë ndaj tij.

Gjithashtu, Veliaj pretendon se është fyer nga prokurori Ols Dado.

“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij! Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorrëm nga dera, nuk duhet toleruar më”, thotë Veliaj.

Ndërkohë që vërtetësia e dialogut të zhvilluar në gjyq, është hedhur poshtë nga Gjykata e Posaçme.

NJOFTIM PËR MEDIA:

Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.

Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment.

Tiranë, më datë 24.02.2025

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

 


Shtuar 24.02.2025 15:14