Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar, pasi GJKKO pezulloi nga detyra zv.kryeministren Belinda Ballukun. Me anë të një postim në rrjetet sociale, Berisha shkruan se disa ditë më parë kur dëgjoi se nga prokuroria do kërkohej dhe do vendosej pezullimi nga detyra i Ballukut, nuk e besoi. Gjithashtu Berisha e cilësoi largimin e saj kronikë të një ngjarjeje të paralajmëruar, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se kishte zgjedhur formën më poshtëruese për tu distancuar nga bashkëpunëtorja e tij.
Postimi i Berishës:
Lubia iku siç ishte! Kronikë e një ngjarjeje të paralajmëruar! Miq, disa ditë më parë dëgjova se nga prokuroria do kërkohej dhe do vendosej pezullimi nga detyra i Lubi Ballukut. Ky lajm më duk thashethem dhe nuk e besova. Madje nuk e besova edhe pasi Rama në fjalën e tij i thoshte Belindës “duaje fatin tënd”, mbasi territorët e drejtësisë janë të ndara me territorët e PS. Pas kësaj deklarate që Rama e bëri vetëm për Lubinë, nuk kisha më asnjë dyshim se ai tashmë donte të shpëtonte sa më shpejt prej saj, mbasi ai dhe Lubia ngjisnin si: “keni parë s’keni parë, shkon një i vdekur me të gjallë.”
Por ndonëse e di se Edi Rama në të gjithë qenien e tij çnjerëzore, nuk besoj se do zgjidhte formën më poshtëruese për të larë hesapet me njeriun që prej 25 viteve kishte ndarë çdo gëzim dhe hidhërim dhe që e kishte bashkëpunëtore luajale në çdo vjedhje. E vërteta është se dokumenta të pakundërshtueshme tregojnë se nuk ishte ai që hante fiq dhe kumbulla pas shpinës së Lubisë. Me të drejtë pyetja: pse Rama nuk i kërkoi Lubisë dorëheqjen, që do t’i jepte edhe ndonjë pikë? Pse ai nuk e shkarkoi siç i takonte, në rast se refuzonte dorëheqjen, por zgjodhi trajtimin e saj sikur të ishte magazinierja e Këshillit të Ministrave?
Përgjigjja është vetëm një: atij nuk ia mbante! Nuk ia mbante sepse në dy aferat e mëdha, tunelin e Llogarasë dhe aeroportin e Vlorës, iniciator e vendimmarrës i vërtetë është Rama dhe jo Lubia. Por a shpëtoi Rama me këtë akt makbethian ndaj bashkëpunëtores së tij më të afërt? Jo dhe jo!
