Gjykata e Posaçme, ka vendosur të lirojë nga qelia me masën e arrest shtëpie CEO-n kinez të kompanisë Bankers Petroleum, Hongping Xiao.
Vendimi vjen vetëm pak ditë pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për zgjatjen e afateve hetimore me 3 muaj për dosjen “Bankers”, me argumentin e kryerjes së veprimeve shtesë hetimore për shkak të kompleksitetit të çështjes.
Aktualisht, CEO Xiao, është i vetmi që ndodhej në masën e arrestit në burg, ndërsa të gjithë të pandehurit e tjerë janë në masa më të buta, si arresti në shtëpi.
Hetimet lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare gjatë periudhës 2004–2024, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në buxhetin e shtetit.
Sipas Prokurorisë, Bankers Petroleum, ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, por ka deklaruar humbje çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur tatimin mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.
Së fundmi, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e kompanisë për shkak të një gjobe prej 120 milionë eurosh, e vendosur në vitin 2019, pasi kompania nuk kishte paguar 30 milionë euro akcizë për holluesin.
