GJKKO kalon për proces fraksionin e dytë të dosjes “5D”/ Dy ish-drejtoreshat Keçi e Zere pranojnë gjykimin e shkurtuar

Gjykata e Posaçme, ka kaluar për gjykim 9 ish-zyrtaret e fraksionit të ndarë të dosjes “5D”. SPAK thotë se kompania “5D”, zotëruar në mënyrë indirekte nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish-drejtor në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë, ka përfituar tendera në kundërshtim me ligjin nga “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.

Konkretisht, në vitin 2020, e pandehura Deborah Keçi, nën drejtimin e “Klubit Sportiv Tirana”, institucion në varësi të Bashkisë në bashkëpunim me 3 persona të tjerë, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë krijuar për “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në një tender.

Gjithashtu në vitin 2019, e pandehura Eglantina Zere nën drejtimin e “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me 4 të pandehur të tjerë, kanë favorizuar kompaninë V.A.S, e njëjtë me “5D”-në sipas SPAK në përfitimin e një tenderi rikonstruksioni.

Gjykimi ndaj tyre, do të krehët me procedurën e gjykimit të shkurtuar ç`ka do të thotë në fund atyre iu zbret 1/3 e dënimit.

Ndërkohë në fraksionin e parë të dosjes ku pjesë e saj janë 3 ish-drejtoret Molla, Tushe dhe Qato, si dhe administratoret e kompanisë janë ende në fazën e kërkesave paraprake, ku te gjithë personat në atë dosja kërkojë gjykim shkurtuar.

Në lidhje me fraksionin e dytë të dosjes “5D”, SPAK ka marrë të pandehur 9 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, më konkretisht dy ish-drejtoreshat Deborah Keçi dhe Eglantina Zere, si dhe ish-zyrtarët Teuta Guri, Rejnaldo Gjerazi, Jetjon Mera, Rivjola Baxha, Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Kristo Zhulati.

Të 9 të pandehurit, akuzohen vetëm për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.

Dosja e parë që tashmë SPAK, ka mbyllur hetimet dhe është gati ta çojë në gjykatë, përbëhet nga 7 të pandehur, të cilët janë veçuar, si: Redi Molla, me detyrë ish-Drejtor i Ujësjellësit Tiranë; Mariglen Qato, ish-drejtor në departamentin Mbështetës; Taulant Tusha, ish-drejtor i Punëve Publike në Bashki; Enton Punavija, Drejtor i Drejtorisë së Transportit; Julian Zanaj, Drejtor i Prokurimeve në Bashki; Albano Janku, Drejtor i Planifikimit të Burimeve Njerëzore në Bashki; Nestor Muhamellari, administrator i shoqërisë “5D Konstruksion”. Akuzat që rëndojnë mbi ish-zyrtarët e bashkisë së Tiranës janë korrupsion pasiv dhe aktiv, refuzim për deklarim, shkelje të barazisë dhe pjesëmarrjes në tendera.

Hetimet

SPAK bën me dije se nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këto procedime penale janë mbledhur provat dhe është provuar fakti se shoqëria tregtare “5D Konstruksion” sh.p.k (e njëjtë me shoqërinë me emrin “V.A.S Konstruksion” sh.p.k), e cila është zotëruar në mënyrë indirekte nga shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato, ish funksionarë në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Drejtorisë në institucionet në varësi të Bashkisë Tiranë ka përfituar kontrata publike në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik nga autoritetet kontraktore “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana”.

Sipas prokurorisë, e pandehura Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Klubi Sportiv Tirana”, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë krijuar për operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion Palestra e Mundjes” të zhvilluar në datën 09.12.2020.

Nga provat e mbledhura gjatë hetimeve rezulton se e pandehura Deborah Keçi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor është dakortësuar me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “V.A.S Konstruksion” sh.p.k për ta shpallur fitues të procedurës së prokurimit që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura.

Të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, akuzohen se nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k, i cili ka qënë i paracaktuar për tu shpallur fitues nga e pandehura Deborah Keçi.

Sipas SPAK, e pandehura Eglantina Zere, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Tirana Parking” institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Enkelejda Qyta, Bruno Koçi dhe Rivjola Baxha, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), si dhe me të pandehurin Kristo Zhulati në cilësinë e anëtarit të Njësisë së Prokurimit kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomik fitues “V.A.S Konstruksion sh.p.k” dhe “Rroku Guest” sh.p.k, në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion i sheshit të parkimit te Selman Stermasi”, të zhvilluar në datën 01.10.2019.

“Provat e mbledhura gjatë hetimeve provojnë plotësisht faktin se verifikimin dhe vlerësimin e ofertave të operatorëve ekonomikë që kanë marrë pjesë në këtë procedurë prokurimi nuk e kanë bërë anëtarët e KVO-së, por e kanë bërë persona të tjerë që kanë punuar në shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k.

Është provuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik bashkimin e operatorëve ekonomikë “V.A.S Konstruksion” sh.p.k dhe “Rroku Guest”, të cilët kanë qënë të paracaktuar për tu shpallur fitues nga e pandehura Eglantina Zere”, thuhet në njoftimin e SPAK.


Shtuar 18.03.2025 15:08