GJKKO dënon ish-kryetarin e Bashkisë së Bulqizës dhe 8 persona të tjerë

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, është dënuar me 3 vite burg. Alla dhe 9 persona të tjerë, u gjetën fajtorë nga Gjykata e Posaçme, për akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tenderë dhe falsifikimit.

Alla u dënua me 3 vite burg, por për shkak të gjykimit te shkurtuar përfundimisht do të vuajë 2 vite heqje lirie.

Lefter Alla, arrestua më 15 mars 2023 bashkë me 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre mbi dyshimet e abuzimit në një tender me vlerë 3 milionë euro.

Ai akuzohet se bashkëpunim me ish-zyrtarët e tjerë favorizoi dy kompani gjatë procedurës së prokurimit publik me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Konesha. Kompanitë që dolën fituese të tenderit ishin ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’.

Prokuroria konstaton se kjo procedurë prokurimi është inicuar dhe zhvilluar në kundërshtim me ligjn “Për prokurimin publik” dhe aktet nënligjore, pasi nga ana e Allës, zv.kryetares së Bashkisë Bulqizë Enkeleda Lleshi, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit e të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, janë ndërmarrë veprime aktive të kundërigjshme që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm, për paracaktimin e fituesit megjithëse ky subjekt nuk i përmbushte të gjitha kriteret.

Sipas SPAK, megjithëse fitues është shpallur Rafim Daci, punimet janë kryer nga Aqif Konesha që nuk është shpallur fitues, pasi nuk plotësonte kriteret ligjore dhe se kjo është bërë me qëllim që të mos krijoheshin dyshime për lidhjet e këtij të fundit me kryetarin e Bashkisë Bulqizë, të pandehurin Lefter Alla.

Nga hetimi ka rezultuar se i pandehuri Aqif Konesha rezulton me lidhje të afërta me kryebashkiakun Lefter Alla.

Po ashtu, prokuroria thotë se është provuar se nga subjekti i shpallur fitues janë kryer pagesa në favor të anëtarit të Komisionit të Prokurimit Publik, të hetuarit Erion Isaku.

Ndërsa administratorët e dy kompanive të përfshira, Rasim Daci dhe Aqif Konesha, si dhe mbikqyrsja e punimeve, Ana Nishku dhe drejtuesi teknik i punimeve, Dali Gazidedja akuzohen se kanë përpiluar dokumente të falsifikuara gjatë zbatimit të kontratës duke pasqyruar faktin e rremë se punimet janë kryer nga firma fituese e procedurës së prokurimit.


Shtuar 28.12.2023 10:21