Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për Albana Ferraj. Ish zyrtarja e OSHEE është akuzuar nga SPAK, se ka marre ryshfet për një tender.
Ferraj, 48 vjeçe, ishte shpallur në kërkim për përfitimin e shumës 132 mijë euro si ryshfet për të favorizuar një kompani italiane për një tender të zhvilluar në vitin 2016.
Ajo kishte postin e drejtoreshës së kabinetit pranë OSHEE, ishte arkëtuesja e ryshfetit nga kompania italiane “Com Metodi” s.p.a me seli në Milano.
Tenderi për shërbim-konsulence për energjinë elektrike u zhvillua në vitin 2016 dhe sipas akuzës ka qenë Albana Ferraj që ka arkëtuar shumën nëpërmjet një kompanie të tretë. Ferraj bashkëpunonte me 3 zyrtarë të OSHEE-së, të cilët u vunë në pranga në tetor të vitit 2020. Ata janë ish drejtori i prokurimeve të OSHEE, Elis Bushati, si dhe 2 ish-zyrtaret Athinta Papa e Irma Derhiri.
Ferraj ka krijuar një marrëdhënie fiktive midis saj dhe kompanisë italiane duke përdorur një shoqëri të tretë me seli në Shqipëri për të fshehur natyrën e kundërligjshme të këtyre parave që përfitoi përmes korrupsionit pasiv me kompaninë “Com Metodi” s.p.a./albeu.com