Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka folur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që rrëzon shkarkimin e Erion Veliajt dhe zgjedhjet e Tiranës.
Lala tha se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, bëhet më e vështirë që Veliaj të shkarkohet dhe se ai mund të hiqet nga detyra ligjërisht, vetëm nëse Këshilli e dëgjon dhe ndjek procedurën dhe Këshilli i Ministrave provon se Veliaj ka kryer “shkelje të rëndë”, çka është e vështirë për t’u provuar pasi Erion Veliaj nuk është një person i dënuar.
“Gjykata Kushtetuese (GJK) pasi shqyrtoi ankesën e Veliajt për shkarkimin, ka vendosur me 5 vota pro dhe 3 kundër të shfuqizojë vendimin e Këshillit të Ministrave, që vendosi shkarkimin nga detyra. Gjithashtu të shfuqizojë dekretin e Presidentit Begaj, i cili kishte dekretuar zgjedhjet për 6 bashki, përfshirë edhe atë të Tiranës. GJK e kishte pezulluar dekretin që lidhej me zhvillimin e zgjedhjeve. Pra nuk do të zhvillohen zgjedhje në Tiranë.
GJK ka rrëzuar vetëm kërkesën për prezumimin e pafajësisë. Procesi në GJK nuk lidhet me procesin që po zhvillohet në GJykatën e Posaçme ku shqyrtohen akuzat penale ndaj Veliajt. Masa e sigurisë dhe procesi penal nuk ka lidhje me vendimin e GJK sot.
GJK thotë që Erion Veliajt i është mohuar e drejta për proces të rregullt, nuk është dëgjuar përpara Këshillit Bashkiak. E gjithë procedura e ndjekur nga Këshilli është e parregullt dhe antikushtetuese.
Së dyti, ligji nuk mund të jetë më lartë se Kushtetuta. Ligji për qeverisje vendore parashikon shkarkim për “mungesë pa arsye për tre muaj”, por GJK thotë se Veliaj ka munguar për shkak të masës së sigurisë. Veliaj sipas GJK mund të shkarkohet sipas nenit 115 të Kushtetutës, vetëm nëse qeveria provon se Veliaj ka kryer shkelje të rënda. Përshembull, nëse Veliaj cilësohet fajtor për njërën nga akuzat apo të gjitha, konsiderohet es ka kryer krim të rëndë dhe Këshilli i Ministrave e shkarkon. Ose ka raste të tjera, kur ka tradhti ndaj atdheut, flagrancë, e me rradhë.
Në këtë pikë, përveçse procedura është e paligjshme, Këshilli i Ministrave nuk e ka provuar shkeljen e rëndë.
GJK lë hapësirë që Këshilli Bashkiak mund ta rinisë procedurën, por ai të dëgjohet dhe së dyti, Këshilli i Ministrave të provojë se ka shkelje të rëndë nga Veliaj”, tha Lala.
			   
			   
			   
			   
			   
			   
			   
			   
						
						