Gjykata Kushtetuese ka vendosur të mos kalojë për shqyrtim në seancë plenare ankimimin e eurodeputetit Fredi Beleri. Më 16 shkurt të këtij viti, Beleri kundërshtoi vendimin e Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion për dënimin me 2 vite burg për akuzën “korrupsion aktiv në zgjedhje”, si dhe vendimin e Apelit të Posaçëm dhe atë të Gjykatës së Lartë që konfirmuan dënimin e dhënë nga GJKKO.
Ai gjithashtu ankimoi vendimin e GJKKO në Gjykatën e Lartë që la në fuqi dënimin me burg. Beleri pas qëndrimit në qeli thuajse 16 muaj, u lirua me kusht me argumentin se ka kryer dy të tretat e dënimit.
“Dhionisios Alfred Beleri Nr. 1 (Dh) 2026 Regj.Them, datë 03.02.2026 Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të vendimeve nr. 160 (87-2024-217), datë 29.07.2024 të Gjykatës së Posaçme së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe nr. 00-2025-1179, datë 15.07.2025 i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. 10.03.2026 Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare,” njofton Gjykata Kushtetuese.
Fredi Beleri u dënua me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor në zgjedhjet e 14 Majit 2023 në Himarë, teksa sipas dy shkallëve të GJKKO u provua se pagoi 400 euro për 8 vota. Ai u arrestua më 12 maj 2023, por edhe pse nga qelia, arriti të fitojë zgjedhjet e 14 Majit. Por nuk u betua si kryebashkiak i Himarës pasi KQZ shpalli të pavlefshëm mandatin e tij. Edhe pse kurrë nuk u lejua të betohej si kryebashkiak, Atij iu dha leje nga drejtoria e Burgjeve që të bënte betimin si eurodeputet në Parlamentin Europian, si përfaqësues i Greqisë.
