Gjithçka sekrete! Kodi i veçantë me të cilin do të bisedojnë Vuçiç e Putin, do 1 vit të deshifrohet

Trupi diplomatik dhe shërbimet e huaja do të mundohen që të dëgjojnë dhe mësojnë se për çfarë do flasin sot presidenti serb Aleksandër Vuçië dhe ai rus, Vladimir Putin. “Blic” zbulon se në çfarë mënyre do të bisedojnë dy shtetarët gjatë krizës botërore në të cilën monitorohet çdo hap i Putinit, por edhe Serbisë vazhdimisht i bëhet presion që t’i përmbahet politikës së jashtme të BE-së dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.

Biseda mes dy presidentëve nis në orën 11:00.

Dihet një nga temat, por jo rezultati: si do të furnizohet Serbia me gaz dhe sa do të paguajë? Përgjigja duhet të vijë pas bisedës.

Serbia do të vazhdojë të paguajë gazin sipas të ashtuquajturës formulë të naftës, e cila është më e favorshme, apo llogaritja do të jetë e përzier, që do të thotë përfshirje me çmimin e tregut? Sipas marrëveshjes së vlefshme, e cila u vazhdua në fund të vitit të kaluar, dhe skadon për tri ditë, më 31 maj, Serbia paguan çmimin disa herë nën atë të tregut – vetëm 260 dollarë për 1000 metra kub. Çmimi i tregut është mbi 1000 dollarë!

Një gjë është e sigurtë! Smartphone-t nuk do të përdoren. Të dy do të flasin me njëri-tjetrin me telefon fiks, me linja speciale e të mbrojtura. Një linjë e tillë funksionon duke vendosur një lidhje satelitore nga selia ruse në Presidencën serbe. Më pas, lidhja nga selia serbe kalon në një tel të mbrojtur, të drejtpërdrejtë në telefonin që do të jetë në duart e Vuçiçit.

Vladimir Putin njihet për mospërdorimin e telefonave celularë, madje edhe bisedat e tij zyrtare brenda Rusisë janë enkriptuar. Sipas asaj që është në dispozicion të publikut, Putin flet për tema të rëndësishme vetëm me një linjë telefonike të mbrojtur, e cila është e pamundur të depërtohet, sepse zëri është i koduar në një sinjal dixhital duke përdorur një algoritëm kompleks kriptografik.

Disa ekspertë dikur pohuan se do të duhej më shumë se një vit që ky algoritëm të deshifrohej, gjë që u vlerësua si punë e pakuptimtë. Në të njëjtën kohë, algoritmi, sipas parimit të përzgjedhjes së rastësishme, ndryshon disa herë në intervale të ndryshme gjatë bisedës. Sistemi është projektuar nga ekspertë rusë të sigurisë.

Gjithë çfarë është bërë me dije deri më tani është se presidenti serb do t’i thotë Putinit: Faleminderit për miqësinë.