Gjigantët shtetërorë të naftës do ta përmirësojnë ose prishin tranzicionin e energjisë

Ata synojnë të pompojnë më shumë naftë në vitet në vijim, por njëkohësisht nuk mund të shpërfillin ndryshimin e klimës, shkruan The Economist

Aktivistëve të klimës u pëlqen të shajnë ExxonMobil dhe Shell. Gjigantët energjetikë të sektorit privat janë në pritje të betejave, sfidave ligjore dhe formave të tjera të presionit për të hequr qafe naftën dhe gazin natyror, në favor të burimeve të rinovueshme dhe teknologjive të tjera të gjelbra.

Kompanitë e mëdha energjetike janë një shënjestër tërheqëse: ato kanë rrjete të përhapura të shpërndarjes dhe marka të njohura që janë të ndjeshme ndaj bojkotit të konsumatorëve.

Një presion i tillë është shpesh i mirëpritur në luftën kundër ngrohjes globale. Por në tregun e naftës, sektori privat ka më pak rëndësi nga sa mund të mendoni. Fakti nëse tranzicioni i energjisë do të jetë i suksesshëm, do të varet në një masë të madhe nga sjellja e gjigantëve të naftës, që janë në zotërim shtetëror.

 

Rëndësia e kompanive shtetërore

Nëse kompanitë e mëdha të naftës janë të rëndësishme, atëherë kompanitë kombëtare të naftës janë jashtëzakonisht të rëndësishme (shih grafikun 1). Së bashku, ato prodhojnë tre të pestat e naftës së papërpunuar në botë (shih grafikun 2) dhe gjysmën e gazit natyror, krahasuar me pak më shumë se një të dhjetën për kompanitë e mëdha private ndërkombëtare të naftës (pjesa tjetër pompohet nga kompani më të vogla të pavarura).

Nëse kompanitë e mëdha të naftës janë të rëndësishme, atëherë kompanitë kombëtare të naftës janë jashtëzakonisht të rëndësishme (shih grafikun 1).

Së bashku, ato prodhojnë tre të pestat e naftës së papërpunuar në botë (shih grafikun 2) dhe gjysmën e gazit natyror, krahasuar me pak më shumë se një të dhjetën për kompanitë e mëdha private ndërkombëtare të naftës (pjesa tjetër pompohet nga kompani më të vogla të pavarura).

Ato janë përgjegjëse për dy të tretat e rezervave të mbetura të naftës dhe gazit, të zbuluara globalisht. Katër prej tyre – ADNOC e Emirateve të Bashkuara Arabe, PDVSA e Venezuelës, KatarEnergy dhe Saudi Aramco – zotërojnë mjaftueshëm hidrokarbure për të vazhduar prodhimin me ritmet aktuale, për më shumë se katër dekada.

 

Nëse mendonit se naftëtarët e sektorit privat po përfitonin në masë kohët e fundit nga çmimet e naftës së papërpunuar prej 100 dollarësh ose më shumë për fuçi, kjo nuk është asgjë në krahasim me fitimet e homologëve të tyre të sponsorizuar nga shteti.

Sipas Wood Mackenzie, konsulencë energjetike, nëse çmimet e naftës do të ishin mesatarisht 70 dollarë deri në vitin 2030, 16 kompanitë më të mëdha kombëtare të naftës, do të fitonin 1.1 trilionë dollarë më shumë se nëse çmimet do të ishin mesatarisht 50 dollarë. Gjysma e kësaj shume do t’u shkonte Emirateve, Kuvajtit, Katarit dhe Arabisë Saudite.

Gjigantët rusë si Rosneft, të shmangur kryesisht nga Perëndimi pas pushtimit të Ukrainës në shkurt, por të përqafuar nga Kina dhe klientët e tjerë aziatikë, do të merrnin gati një të pestën. Dhe ndërsa sektori privat turpërohet dhe shtrëngohet nga publiku për të përqafuar një të ardhme me më pak karbon, ndikimi i kompanive kombëtare të naftës, vetëm sa do të rritet.

Fitimet nga nafta

Nëse mendonit se naftëtarët e sektorit privat po përfitonin në masë kohët e fundit nga çmimet e naftës së papërpunuar prej 100 dollarësh ose më shumë për fuçi, kjo nuk është asgjë në krahasim me fitimet e homologëve të tyre të sponsorizuar nga shteti. Sipas Wood Mackenzie, konsulencë energjetike, nëse çmimet e naftës do të ishin mesatarisht 70 dollarë deri në vitin 2030, 16 kompanitë më të mëdha kombëtare të naftës, do të fitonin 1.1 trilionë dollarë më shumë se nëse çmimet do të ishin mesatarisht 50 dollarë

Shqetësimet

Pra, është shqetësuese, që procesi i dekarbonizimit të naftës është kaq i dobët. Ndërsa emetimet e gazrave serë nga kompanitë kryesore janë stabilizuar ose kanë arritur kulmin, e njëjta gjë është e vërtetë vetëm për dy firma shtetërore: Petrobras e Brazilit dhe Ecopetrol e Kolumbisë.

Kavita Jadhav nga firma Wood Mackenzie, llogarit se gjigantët shtetërorë kanë caktuar më pak se 5% të shpenzimeve të tyre kapitale për tranzicionin e energjisë, krahasuar me 15% për kompanitë amerikane dhe europiane.

Midis viteve 2005 dhe 2020, kompanitë kombëtare të naftës në botën në zhvillim, depozituan shumë më pak aplikime për patenta për idetë ekologjike, në krahasim me rivalët ndërkombëtarë, sipas Amy Myers Jaffe dhe kolegëve në Laboratorin e Politikave Klimatike në Universitetin Tufts.

Larmia e kompanive private

Por jo të gjitha kompanitë shtetërore janë të njëjta. Siç vëren Daniel Yergin, ekspert i energjisë në S&P Global, kompanitë kombëtare të naftës janë shumë më të larmishme se firmat private. S&P Global identifikon 65 prej tyre në mbarë botën, nga kompanitë e rrënuara, si PDVSA, ato të keqmenaxhuara, si ajo e diktaturës së Venezuelës, e deri tek firmat serioze dhe profesionale, si Aramco ose Equinor e Norvegjisë. Edhe niveli i ndotjes që shkaktojnë, ndryshon.

Shumë nga kompanitë kombëtare të naftës që shkaktojnë më tepër ndotje, ndodhen në Afrikë, Azi dhe në Amerikën Latine. Shumica janë të menaxhuara keq dhe kanë rezerva të vogla ose jo tërheqëse. Kompanitë algjeriane dhe venezueliane emetojnë tre deri në katër herë më shumë karbon në prodhimin e naftës, sesa firmat më të mira gjeologjikisht dhe të menaxhuara më mirë, si ADNOC dhe Aramco, dhe shpërdorojnë shtatë deri në dhjetë herë më shumë gaz për fuçi, sesa QatarEnergy.

Këto probleme, së bashku me problemet e qeverisjes, po u kushtojnë gjithnjë e më shumë këtyre kompanive kombëtare të naftës, të cilat po humbasin mbështetjen e firmave ndërkombëtare që historikisht i kanë furnizuar ato me mbështetje teknike dhe financiare.

Christyan Malek, nga banka JPMorgan Chase, llogarit se kompanitë kryesore të naftës, sigurojnë midis 40% dhe 60% të investimeve të kryera nga kompanitë kombëtare të naftës jashtë Gjirit Persik. Tani, siç thotë një ekzekutiv perëndimor i naftës, edhe të ardhurat e mëdha nga një projekt afrikan, mund të mos ia vlejnë barra qiranë, “duke pasur parasysh sa pikëllim shkaktojnë”.

Ben Cahill nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, një think-tank amerikan, vendos në këtë kategori firmat: Sonatrach të Algjerisë, Sonangol të Angolës, Pertamina të Indonezisë, PEMEX të Meksikës dhe NNPC të Nigerisë. Ato mund të nxjerrin më shumë naftë tani, për të shtrydhur sa më shumë fitime të jetë e mundur, përpara se asetet e tyre të bllokohen plotësisht.

Në anën tjetër të spektrit të gjelbër, kompanitë kombëtare të naftës që janë ambicioze, po përdorin të ardhurat e sotme, për t’u zgjeruar larg energjisë ndotëse në të ardhmen, veçanërisht në vendet me rezerva në pakësim dhe me objektiva serioze për të ulur emetimet e gazrave serë.

Alex Martinos nga Energy Intelligence, mendon se këto firma kryesisht të mesme, kanë ndjekur shembullin e kompanive kryesore europiane në rritjen e shpenzimeve për energjinë e pastër, shpesh duke tejkaluar investimet e ngjashme nga kompanitë amerikane. Shembujt përfshijnë Petronas të Malajzisë dhe PTT të Tajlandës, të cilat kanë lëvizur me shpejtësi drejt burimeve të rinovueshme.

PTT po bën gjithashtu një përpjekje në automjetet elektrike. Ecopetrol është e përfshirë në projektet e erës dhe diellit, dhe së fundmi ka blerë një kompani të transmetimit të energjisë elektrike. CNOOC e Kinës, tani dëshiron që emetimet e saj të karbonit të arrijnë kulmin deri në vitin 2028 dhe zotohet se energjia jofosile do të përbëjë mbi gjysmën e prodhimit të brendshëm deri në vitin 2050, në përputhje me premtimin e Presidentit Xi Jinping se emetimet kineze do të fillojnë të bien para vitit 2030.

Grupi më i rëndësishëm qëndron diku në mes. Këto janë kompani që ndodhen kryesisht në Gjirin Persik dhe në Rusi, me rezerva me kosto të ulët dhe jetëgjata dhe me emetime më të ulëta të karbonit. Ato do të vazhdojnë të pompojnë naftë për vite, madje edhe për dekada me radhë. Por disa prej tyre po përpiqen ta bëjnë atë në mënyrë më të pastër.

Petrobras llogarit se prodhimi i naftës nga fushat e saj më të reja, nxjerr 40% më pak emetime të gazrave serë për fuçi, sesa mesatarja globale. Në vend që të merret me energji të rinovueshme, firma braziliane po dekarbonizon operacionet e naftës. Së fundmi, ajo siguroi një kredi të gjelbër prej 1.3 miliardë dollarësh, ku norma e interesit bie nëse firma nxjerr më pak karbon dhe ka lidhur pagën e shefit ekzekutiv, me objektivat e emetimeve.

Planet e grupit të mesëm për shpenzimet kapitale, edhe pse në përgjithësi duken ndotëse, fshehin pika interesante ekologjike, veçanërisht projektet e bashkësponsorizuara nga entitete të tjera shtetërore.

Marrim për shembull Emiratet e Bashkuara Arabe. Ministri i Industrisë, Sulltan al-Jaber, thotë se “ne e pamë shkrimin në mur që 16 vite më parë”. Pikërisht atëherë u krijua Masdar, një firmë pioniere e energjisë së pastër, e cila sot ka investime në 40 shtete.

Së bashku me ADNOC dhe Mubadala, fond gjigant i pasurisë sovrane, Masdar, ndër të tjera, është duke vënë baste të mëdha për hidrogjenin; ajo ka nënshkruar marrëveshje me Gjermaninë dhe Japoninë, për të zhvilluar zinxhirë të gjelbër furnizimi, për të eksportuar këtë karburant të pastër.

Zoti al-Jaber flet për një “tranzicion realist të energjisë” – që do të thotë një tranzicion që përfshin disa lëndë djegëse fosile për njëfarë kohe. Por, ai këmbëngul se “përgatitja e operacioneve të naftës dhe gazit në të ardhmen, ka qenë gjithmonë përparësi në axhendën tonë”.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë shtëpia e IRENA-s, një agjencie ndërkombëtare e burimeve të rinovueshme, dhe do të mirëpresin Samitin vjetor të OKB-së për klimën në vitin 2023.

Arabia Saudite

Për sa i përket Arabisë Saudite, zoti Yergin vlerëson programin “e madh, të larmishëm” të kërkimit dhe zhvillimit të kompanisë Aramco. Ai thotë se gjiganti po zbaton “aftësinë e tij inxhinierike të klasit botëror, shkallën dhe aftësitë e ekzekutimit” në tranzicionin e energjisë.

Zonja Myers Jaffe nga Universitetit Tufts, i quan përpjekjet e kompanisë për inovacion “shumë agresive”, duke vënë në dukje bastet për pastrimin e emetimeve nëpërmjet kapjes së karbonit. Përtej kompanisë Aramco, Arabia Saudite do të investojë 5 miliardë dollarë në një projekt me hidrogjen të gjelbër në qytetin e saj futuristik Neom, me synimin për t’u bërë eksportuesi më i madh i hidrogjenit në botë.

Por një bast nuk duhet ngatërruar me një ndryshim thelbësor në strategji. Vitin e kaluar, ministri saudit i Energjisë, Abdulaziz bin Salman, deklaroi qartë vizionin e mbretërisë: “Ne do të jemi njeriu i fundit në këmbë dhe çdo molekulë e hidrokarbureve do të dalë”.

Shumica e kompanive shtetërore të naftës do të kenë të njëjtin mendim për të ardhmen e parashikueshme. Fakti që edhe masa më e vogël ekologjike duket inkurajuese, tregon se sa pak po përparohet në frenimin e ndryshimeve klimatike.