Gjermania akuzon Rusinë për kërkesa të stilit të Luftës së Ftohtë

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka akuzuar Rusinë për rrezikim të paqes, me diplomaci të stilit të Luftës së Ftohtë.

Ajo i ka bërë thirrje Moskës “të marrë hapa seriozë drejt uljes së tensioneve” në krizën rreth Ukrainës.

Kjo deklaratë vjen pasi presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar se Rusia mund të krijojë arsyetim për të pushtuar Ukrainën.

Biden ka thënë se veprimet ushtarake ruse mund të nisin shpejt, mirëpo ka theksuar se zgjidhja diplomatike është ende e mundshme.

Rusia ka thënë se këto pretendime “nuk kanë bazë” dhe ka akuzuar SHBA-në për nxitje të tensioneve.

Moska ka thënë se është duke kryer stërvitje ushtarake dhe se disa trupa janë kthyer në bazat e tyre të përhershme në ditët e fundit.

Fuqitë e Perëndimit kanë thënë se nuk ekzistojnë të dhëna për një tërheqje të tillë.

Të premten, ministrja gjermane është bërë zyrtarja e fundit perëndimore që ka shprehur shqetësim për pozicionimin e trupave ruse dhe pajisjeve ushtarake afër kufirit me Ukrainën.

Në një deklaratë të lëshuar para Konferencës së Sigurisë që mbahet në Mynih çdo vit, ajo ka paralajmëruar se Rusia është “duke sfiduar parimet themelore të paqes evropiane” me “mbledhjen e pashembullt të trupave” dhe “kërkesave sikurse të Luftës së Ftohtë”.

Komentet e saj i referohen kërkesave që ka bërë Rusia rreth sigurisë evropiane, duke kërkuar kufizim të ushtrisë së Perëndimit në shtetet që Rusia i sheh brenda sferës së ndikimit.

Perëndimi ka thënë se Rusia nuk ka të drejtë të ndikojë në politikat e shteteve sovrane, siç ka bërë ish-Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Lufta e Ftohtë ka qenë periudhë pas luftës – në shekullin XX – kur rivaliteti mes Perëndimit dhe ish-Bashkimit Sovjetik ka çuar dy superfuqitë globale në prag të luftës bërthamore./REL


Shtuar 18.02.2022 09:10