Gjenerali i ri rus, reagon ish-komandanti amerikan: Ditë të vështira për Ukrainën

Ish-komandanti amerikan, David Petraeus, është shprehur se pas emërimit të gjeneralit të ri rus në Ukrainë, këtë vend e presin ditë të vështira.

Petraeus është një nga figurat më të respektuara dhe më me peshë të dekadave të fundit në ushtrinë amerikane. Komandant i forcave amerikane në Afganistan dhe Irak, ish-drejtor i CIA-s, Petraeus parashikon ditë tejet të vështira për Ukrainën, të paktën për pjesën e saj lindore.

“Për herë të parë kemi një gjeneral të vetëm në fushatën ruse në Ukrainë. Më parë, kishte disa, ishin tepër, ziheshin gjithmonë me drejtuesit e Moskës për mungesë të furnizimeve dhe për strategjinë”.

Gjenerali në fjalë është Alexander Dvornikov, i ashtuquajturi “Kasapi i Sirisë”, personi i akuzuar për krime lufte ndaj popullsisë gjatë konfliktit në Lindjen e Mesme, ku forcat ruse mbështesin qeverinë e Bashar Assadit.

“Në zonën ku do të luftohet nuk do të ketë qytete të mëdha si Kiev dhe Kharkiv, dhe rusët do të avancojnë më thjeshtë sepse ukrainasit nuk do të kenë mundësi të bëjnë guerilje. Fatkeqësisht, episode si në Bucha do të jenë të shumta, sepse aty nuk bëhej fjalë për një gabim, ajo është mënyra sesi veprojnë ata”, deklaroi ish-komandanti amerikan.