Gjenerali amerikan nxjerr faktet: Putini do të përdorë armë bërthamore në Ukrainë

Nga Kevin Ryan “Unherd

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Sido që të përpiqeni t`i analizoni, sulmet me dron që goditën lagjet më të pasura të Moskës mbrëmjen e së martës, përfaqësonin një pikë kthese të zymtë në fushatën ushtarake të Vladimir Putin kundër Ukrainës. Sulmet e befasishme – të cilat vranë 8 persona, dhe për të cilat Kievi ka mohuar të gjithë përgjegjësinë – ishin të parat kundër civilëve rusë që nga fillimi i luftës.

Po ashtu, ato ishin gjithashtu sulmi më serioz ndaj territorit rus që nga Lufta e Dytë Botërore. Putin nxitoi t’i cilësonte si një akt “terrorist”, ndërsa një Yevgeny Prigozhin i tronditur, kreu i mercenarëve të Wagner, sulmoi krerët e ushtrisë ruse për paaftësinë e tyre për të parandaluar 3 nga 8 dronët që arritën të shmangnin mbrojtjen ajrore.

Por ndërsa ky sulm i dha një nxitje morale ukrainasve, në horizont është çështja e hakmarrjes së Moskës. 15 muaj pas fillimit të luftës, bombat e Putinit nuk e kanë mposhtur dot Ukrainën. As hedhja në luftë e 300.000 ushtarëve të tjerë rusë gjatë dimrit të kaluar, nuk ka sjellë ndonjë ndryshim të madh për të përmirësuar luftimet e njësive ruse.

Për më tepër dërgimi në front e tankeve të prodhuara që në vitet 1950 ka shtuar zërat se rusëve po u mbarojnë municionet. Në fakt, komandantëve ushtarakë rusë duket se u janë shterur aftësitë për t’iu përgjigjur efektivisht përshkallëzimit të kundërpërgjigjes nga ana e ushtrisë ukrainase.

Dhe unë mendoj se e vetmja mënyrë se si Rusia mund ta përballojë përshkallëzimin me përshkallëzim është duke futur në përdorim armët e saj bërthamore. Shumë ekspertë perëndimorë thonë se e marrin seriozisht kërcënimin e një sulmi bërthamor rus në Ukrainë.

Por ata gabojnë kur mendojnë se shanset që kjo gjë të ndodhë janë të ulëta. Për shembull  Drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Avril Haines, tha në një seancë dëgjimore në Senat muajin e kaluar se forca konvencionale e dobësuar e Putinit mund të nxisë presidentin rus të bëhet akoma më i varur nga “opsionet asimetrike” për parandalimin e më të keqes, duke përfshirë aftësitë bërthamore.

Por nga ana tjetër ai shtoi se kjo gjë “ishte shumë e pamundur”. Në të njëjtën linjë ishte në po atë seancë edhe drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes, gjenerallejtënant Scott Berrier. E megjithatë ka prova të forta se Putini ka vendosur të përdorë një armë taktike bërthamore në luftën e tij në Ukrainë.

Në fjalimet dhe intervistat e fundit, ai ka thënë se Rusia është përballë një kërcënimi ekzistencial. Një situatë, që sipas politikës ruse garanton përdorimin e armëve bërthamore. Po ashtu, ai e ka riorganizuar udhëheqjen e tij ushtarake, në mënyrë që 3 gjeneralët përgjegjës për përdorimin e armëve bërthamore taktike të komandojnë “operacionin e tij special ushtarak” në Ukrainë.

Për më tepër, ndërsa NATO e ka bërë të qartë se nuk do të autorizojë përdorimin e armëve bërthamore të anëtarëve të saj për të mbrojtur Ukrainën, Putin ka tashmë arsye taktike për t’i përdorur ato: të shpëtojë jetën e ushtarëve rusë, të shkurtojë kohëzgjatjen e luftës dhe të shkatërrojë forcat ukrainase.

Po ashtu ai ka edhe arsye strategjike: të ripërtërijë vlerën parandaluese të arsenalit të tij bërthamor dhe të provojë se nuk është një njeri që bën vetëm bllofe. Prandaj, ne duhet të supozojmë se ai është gati t’i përdorë ato, me shumë gjasa si një përgjigje ndaj paaftësisë së ushtrisë së tij për ta përshkallëzuar mjaftueshëm luftën me mjete konvencionale.

Pra “xhindi” bërthamor ka dalë jashtë shishes. Në pjesën më të madhe të 80 viteve të fundit, siguria e Rusisë është mbështetur mbi 2 shtylla, forca relative e të cilave është rritur dhe zvogëluar: forcat e saj konvencionale tokësore dhe armët e saj bërthamore.

Të parat janë përdorur për të ndikuar, ngacmuar dhe detyruar fqinjët dhe kundërshtarët e Rusisë që të përkulen ndaj vullnetit të saj. Ndërsa forcat bërthamore kanë synuar pengimin e Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit nga ndërhyrja ushtarake në Rusi dhe zonën e saj të perceptuar të ndikimit.

Megjithatë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, forcat konvencionale të Rusisë e kanë dëshmuar brishtësinë e tyre. Dhe për ta kompensuar atë, udhëheqësit rusë janë detyruar që të mbështeten tek forcat e tyre bërthamore për t’i bërë të dyja: armë bërthamore strategjike për të penguar Perëndimin dhe armë bërthamore taktike për të kërcënuar fqinjët.

Sot, një sulm i vetëm bërthamor në Ukrainë mund të pengojë një kundërsulm ukrainas me shumë pak humbje jetësh nga radhët e rusëve. Për Moskën, ky skenar është sa praktik aq edhe moral: mobilizimi në shkallë të gjerë dhe shtimi i njësive ushtarake vitin e kaluar tregoi se ushtria e Putinit ishte shumë e vogël për misionin që kishte përpara.

Megjithatë, Rusia ka arritur të krijojë vetëm disa batalione të reja, sepse shumica e personelit dhe pajisjeve të reja, vetëm sa zëvendësuan humbjet në njësitë ekzistuese. Putinit dhe udhëheqësve të tij ushtarakë, po u mbarojnë njerëzit dhe materialet e nevojshme për të arritur qëllimet e tij.

Në fillim të këtij viti, Putin ndërmori disa hapa publikë për të treguar se nuk po bën bllof në lidhje me përdorimin e armëve bërthamore. Në shkurt, ai nënshkroi një ligj që “pezullonte” pjesëmarrjen e Rusisë në New Start, traktatin strategjik të armëve bërthamore.

Kjo lëvizje i dha zyrtarisht fund inspektimeve të përbashkëta të armëve bërthamore amerikane dhe ruse, dhe e çliroi Rusinë nga detyrimi për të kufizuar numrin e armëve strategjike bërthamore, megjithëse Rusia premtoi ta bënte dikur këtë.

Më pas në mars, Putin njoftoi se do të vendoste disa armë bërthamore taktike në Bjellorusi, me një strukturë magazinimi që do të ndërtohej që në korrik 2022. Meqenëse Rusia ka vendosur tashmë atje sistemet raketore Iskander me aftësi bërthamore – si dhe mijëra trupa – kjo e redukton ndjeshëm kohën e fillimit të përdorimit të tyre.

Putin theksoi gjithashtu që forcat bjelloruse do të trajnoheshin për t’i përdorur këto armë.

Dhe Kremlini i ka ndërmarrë këto hapa gjithnjë e më kërcënues me besimin se NATO dhe Perëndimi – në veçanti SHBA – nuk po i kushtojnë vëmendje kërkesave ruse në skenën globale.

Në vitin 2018, kur Putini zbuloi një grup armësh të reja bërthamore, paralajmëroi publikisht: “Tani do të na dëgjoni!”. Në fakt shumë njerëz në Perëndim nuk e bënë këtë. Katër vite më vonë, pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainë, ishte një thirrje zgjimi për ata që e kishin injoruar.

Ndërkaq Putin është nën presionin e nacionalistëve rusë, të cilët e mbështetën në ngritjen e tij në pushtet, por tani janë të zëshëm në pakënaqësinë e tyre. Kjo kritikë mund të shndërrohet në opozitë, duke e detyruar atë të marrë në konsideratë përshkallëzimin e luftës së tij përpara se të jenë gati forcat e tij konvencionale.

Kjo nuk do të thotë se ne në Perëndim duhet t’i bëjmë presion Ukrainës që të heqë dorë nga qëllimi i saj për të çliruar të gjithë territorin e pushtuar. Por që të parashikojmë një sulm bërthamor dhe të zhvillojmë përgjigje të mundshme. Sapo Rusia të përdorë një armë bërthamore në Ukrainë, pasojat do të fillojnë të përhapen.

Dhjetëra mijëra ukrainas do të kenë vdekur, apo do të jenë duke u përballur me pasojat e shpërthimit. Qindra miliona evropianë do të përgatiten për luftë. Por 7 miliardë të tjerë në mbarë globin do të merren me biznesin e tyre. Do të jenë realisht të alarmuar, por të pandikuar fizikisht. Ndaj në këtë botë të ndryshuar në mënyrë dramatike, i takon Perëndimit të vendosë se si të përgjigjet. /albeu.com

Shënim:Kevin Ryan, gjeneral brigade në pension i Ushtrisë Amerikane. Ka qenë atashe ushtarak në ambasadën e SHBA-së në Moskë dhe zëvendësdrejtor për strategjinë, planet dhe politikat në Shtabin e Ushtrisë.


Shtuar 3.06.2023 10:16

Tags: