Pas 19 ditësh kërkimesh intensive, autoritetet turke kanë zbuluar në një thellësi prej 68 metrash trupin e biznesmenit të zhdukur Halit Yukay, i cili ishte shpallur i humbur që prej fillimit të gushtit.
Mjeti i tij lundrues, ishte gjetur i dëmtuar dhe gjysmë i fundosur në ujërat pranë Artakës, në Detin e Marmarasë.
Ngjarja tragjike ndodhi më 4 gusht, kur Halit Yukay, u nis i vetëm nga Turqia drejt Mykonos me jahtin e tij “Graywolf”.
Të njëjtën ditë, rreth orës 15:10, familjarët humbën kontaktin me të dhe njoftuan autoritetet për zhdukjen.
Një ditë më pas, më 5 gusht rreth orës 14:30, një anije tregtare raportoi se kishte parë pjesë të jahtit që notonin gjysmë të fundosura në det.
Pas këtij informacioni, nisi një operacion i gjerë kërkimi me pjesëmarrjen e njësive të rojes bregdetare nga rajone të ndryshme të Turqisë.
Kërkimet vazhduan pa ndërprerje për më shumë se dy javë, derisa më në fund, dy ditë më parë, zhytësit lokalizuan trupin e Yukay në të njëjtin vend ku ishte gjetur mjeti i tij lundrues.
Zona u identifikua përmes një pajisjeje të specializuar të rojes bregdetare, ndërsa konfirmimi erdhi nga një robot nënujor, i cili regjistroi pamje të trupit si dhe pjesë të jahtit.
Sipas autoriteteve, trupi do të nxirret në sipërfaqe përmes një sistemi të posaçëm “ashensori nënujor”, për të shmangur dëmtime të mëtejshme.
Operacioni po koordinohet nga zhytës ushtarakë dhe pritet të përfundojë brenda orëve të ardhshme.
Kush ishte Halit Yukay?
I lindur në vitin 1982, Halit Yukay, ishte themeluesi dhe pronari i kompanisë “Mazu Yachts”, e njohur në Turqi për ndërtimin e jahteve luksoze.
Ai nisi karrierën e tij si punëtor në kantieret detare, duke ushqyer ëndrrën për të pasur një ditë kompaninë e tij.
Kjo ëndërr u bë realitet në vitin 2011, kur themeloi “Mazu Yachts”, e cila shquhet për dizajnet dhe teknologjitë moderne në industrinë detare turke.