Gjendet piktura e vjedhur 11 vite më parë në shtëpinë e zyrtarit të qeverisë Meloni

Karabinierët sekuestruan pasditen e sotme nga rezidenca e nënsekretarit italian të kulturës Vittorio Sgarbi pikturën “Arrestimi i Shën Pjetrit”, të shekullit XVII, e cila i atribuohet piktorit Rutilio Manetti.

Sipas shtypit italian, piktura është vjedhur njëmbëdhjetë vjet më parë nga kalaja e Buriasco-s, jashtë Torinos dhe më pas është gjetur në një ekspozitë në Lucca të Toskanës, në vitin 2021, ku nuk përmendej emri i piktorit që e krijoi, por vetëm se ishte një vepër arti që i përkiste nënsekretarit italian.

Sgarbi shprehet se piktura e vjedhur 11 vite më parë ishte në fakt një kopje dhe se vepra origjinale ka qenë gjithmonë pronë e tij.

Ai këmbëngul se nuk mban përgjegjësi për asnjë veprim të kundërligjshëm dhe ka përjashtuar çdo mundësi për dorëheqjen e tij.

Sekuestrimi i sotëm u krye me urdhër të prokurorisë në qytetin Macerata, në Italinë qendrore.

Vittorio Sgarbi, falë edhe pjesëmarrjes në emisione të njohura televizive, është një nga kritikët më të shquar të teknikës italiane dhe ishte mik i ngushtë i ish-kryeministrit dhe manjatit italian Silvio Berlusconi.


Shtuar 12.01.2024 22:31