Një makinë është gjetur e djegur në Qafë Kashar ku sipas policisë automjeti dyshohet se është përdorur nga ekzekutorët e Briken Sanajt mbrëmjen e sotme tek “Kodrat e Diellit”.
Burime bëjnë me dije se 39-vjeçari Sanaj është qëlluar nga një makinë në lëvizje me breshëri kallashnikovi.
Viktima është dërguar menjëherë në spital nga banorët e zonës, por nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve.
39-vjeçari ka marrë 3 plumba në fytyrë.
Aktualisht policia po heton për zbardhjen e ngjarjes dhe për kapjen e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Më datë 30.10.2022, te Kodra e Diellit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi B. S., rreth 39 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Janë shoqëruar disa persona në Polici. Në Qafë Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.