Autoritetet në Afrikën e Jugut po hetojnë vdekjen e të paktën 22 të rinjve, shumica e të cilëve u gjetën të vdekur brenda një klubi nate të njohur në vend sipas autoriteteve lokale.
“Tre prej tyre vdiqën në spital dhe dy janë duke u trajtuar në gjendje shumë kritike”, tha kreu i shërbimit të sigurimit të qeverisë provinciale.
Më herët, policia lokale tha se ishte njoftuar se 17 të rinj u gjetën të vdekur brenda një klubi nate në Cinery Park, duke shtuar se për rastin ka nisur një hetim. Viktimat janë të moshës nga 18 në 20 vjeç. Një zyrtar i shëndetësisë përjashtoi mundësinë që vdekja e tyre të jetë shkaktuar nga paniku apo shtypja.
“Është e vështirë të besohet se bëhet fjalë për shtypje mes njëri-tjetrit, pasi asnjë nga viktimat nuk ka lëndime të dukshme”, tha Unathi Bincoze nga vendi i ngjarjes.
Sipas gazetës lokale DispatchLive, trupat ishin shpërndarë në tavolina, karrige dhe në dysheme, pa “asnjë shenjë të dukshme lëndimi”. Shumë dukej se ishin rrëzuar papritmas. Në rrjetet sociale, disa flasin edhe për mundësinë e helmimit me gaz apo helmim masiv .
Trupat do të transportohen në morgjet shtetërore, ku pritet të identifikohen nga të afërmit e më pas do t’i nënshtrohen autopsisë për të zbuluar shkaqet e vdekjes.