Deputeti i PD, Agron Gjekmarkaj i ftuar në emisionin “Kjo Javë’’ të News24 garantoi se PD nuk rrezikon shpërbërjen pas vendimit për Berishën, por do të ringrihet.
Sipas tij, Basha ka marrë një vendim të detyruar për 620 mijë demokratët që votuan në zgjedhjet e fundit dhe për të rivendosur marrëdhëniet me SHBA.
Ai thekson se në këtë fazë PD dëmtohet, por më pas do të bëhet opozita më luftarake e 30 viteve të fundit.
“Të jem i ndershëm, Sali Berisha është personalitet me përmasa të mëdha. Beteja e tij për Statut është betejë e vogël. Mund të jenë të tjerë që bëjnë beteja për statut. Ai është me shqisat më të forta si politikan. Mbase është sedra e lënduar e Berishës, presioni ka qenë shumë i madh ndaj Bashës. Basha e mori atë vendimin për ata 620 mijë demokratë. Unë mendoj që monopoli nuk është më në dorë të Ramës, nëse e lexuat deklaratën e ambasadës amerikane që do të bashkëpunojë me Bashën.
Është akt i detyruar për të rivendosur marrëdhënien e PD me betejat në këtë vend.
Disa kolegë të mi tundin kartën e sovranizmit. Më duket te padrejtë çfarë ka ndodhur me Berishën, por nëse opozita është në dobësim të vazhdueshëm, kush fiton?
Cili është mjeti për të rrëzuar Ramën nëse nuk forcohet opozita? Ne si opozitë duhet të kuptojmë ku kemi gabuar me ndërkombëtarët. Masakra e 25 prillit u lejua me bekimin ndërkombëtar, si 5 qershori. Duhet të gjejmë ku e kemi gabimin.
Sigurisht që një debat i tillë dhe qëndrim i tillë PD në këtë fazë dëmtohet. Një pjesë e njerëzve që e mbështesin çoroditen . Nuk rrezikon shpërbërje, është dialektike të ketë debat të tillë. PD është parti që fermenton, shkund dhe ringrihet, do të jetë opozita më luftarake e këtyre 30 viteve.’’- tha Gjekmarkaj./BW